Nga Mero Baze

Një arritje mund të shënohet qysh tani brenda PD. Nga një parti bunker, ku njerëzit sakrifikoheshin, ose lartësoheshin në karrierë në raport me shërbimet publike që kishin bërë duke ndihmuar korrupsionin e familjes Berisha, apo të tjerëve në PD, tani po kthehet në një parti ku po debatohet për korrupsionin. Disa zyrtarë të lartë të PD kanë karrierë aksidentale, vetëm se kanë ndihmuar Shkëlzenin të bënte letrat në Gërdec, qofte dhe si dëshmitarë, apo të tjerë e kanë shkatërruar karrierën se nuk i kanë pranuar ato letra. Por debat nuk ka pasur.

Beteja kundër korrupsionit brenda në PD, ka qenë një temë tabu, që askush nuk guxonte ta zinte në gojë. Dalja e Berishës në rrugë, shëtitja e tij me “foltoren” në krah kundër Bashës, i ka dhënë efektet e para. Lulzim Basha i ka kujtuar në një deklaratë zyrtare Flamur Nokës, një prej atyre që ka bërë përpjetë në PD si dëshmitar i heshtur i korrupsionit të familjes Berisha, se ka quajtur “llum” i PD, ata që kanë abuzuar në pushtetin e PD, duke vjedhur në emër të pushtetit.

Fjalia është shumë e gjerë dhe njëkohësisht e lirë që të mërzisë kush do të mërzitet dhe të gëzojë kush do të gëzohet. Duke qenë një përgjigje për Flamur Nokën, që flet si i deleguar i Berishës, ajo është natyrisht një akuzë që përfshin çdokënd, por sidomos familjen Berisha, pasi ajo është dhe e vetmja e dokumentuar që është familjarisht nën akuzë për korrupsion, minim të demokracisë dhe shantazhim të sistemit të drejtësisë, nga SHBA.

Ky është një hap i madh përpara në PD, në një parti, ku njerëzit si Fatmir Mediu janë gati të shkojnë në burg e të mos hapin gojën se çfarë ka ndodhur. Një goditje e tillë nga Basha në adresë të Berishës, është dhe më guximtarja deri më sot, pasi provon së paku që Basha nuk druhet të godasë Berishën, nëse ai vazhdon fushatën e gënjeshtrave të tij. Kështu që fushata e Berishës e ka një efekt. Edhe pse është larg demokratizimit të PD, ajo ka demokratizuar së paku debatin brenda PD. Si hap i pare, nuk është keq të detyrosh një parti të nënshtruar nga korrupsioni, të flasë kundër korrupsionit. Të tjerat vijnë pas.