07 Tetor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në prezantimin e Aktit Normativ për 500 mijë doza vaksinash Pfizer, është ndalur pak dhe tek ato që sipas saj, janë disa nga shkaqet që e kanë ngadalësuar procesin.

“Por Vaksnimi mbetet sfida! Natyrisht, procesin e kanë vështirësuar hapësira e paarsyeshme që u dhurohet konspiracionistëve; vetëpërmbajtja e munguar e “analizuesve të gjithçkasë”; e gjithologëve që ngrenë pikëpyetje mbi vaksina të çertifikuara dhe miratuara për përdorim nga organizma prestigjozë ndërkombëtarë ku punojnë ekspertët më të mirë në botë. E të mendosh që sot e kësaj dite, askush prej tyre nuk ka dalë e të na tregojë një tjetër rrugë, veç VAKSINIMIT, për t’iu afruar fundit të kësaj pandemie”, deklaroi Manastirliu.

Manstirliu ka theksuar se do të hyjmë në një fazë tjetër të intesifikimit të planit të vaksinimit me qëllim rritjen më tej të mbulesës vaksinale.

“Ne jemi gati të ecim tashmë me një marsh më shumë, me vënien në zbatim të fazës tjetër të Planit tonë të vaksinimit. Do të jemi me strukturat tona të lëvizshme në çdo universitet, e më me shumë intensitet në çdo qytet, në çdo fshat të Shqipërisë. Ekipet tona të profesionistëve do të jenë aty, për t’u ofruar qytetarëve shpjegime, vetëdijësim dhe vaksinimin falas afër vendbanimit. Ne e treguam gjatë kësaj krize të shëndetit publik me përmasa globale, se nuk do të lëkundemi. E sigurisht që nuk kemi ndërmend ta bëjmë tani, kur drita në fund të tunelit, duket gjithnjë e më qartë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se janë vaksinuar rreth 45 % e popullatës target me dozën e parë dhe 37% me dy doza.
“Sot kemi mbi 1.7 milion vaksinime të kryera. Janë vaksinuar me 1 dozë, rreth 45% e mbi 18 vjeç dhe me dy doza mbi 37% e atyre mbi 18 vjec. Këto shifra janë sipas përcaktimit të ekspertëve dhe aspak meje, përbëjnë popullsinë target +18 vjec. Nëse përfshijmë edhe nga 1 vjec e lart, mbulesa është mbi 35% me një dozë dhe pothuaj 29 % e vaksinuar plotësisht. Këto janë shifrat”, tha Manastirliu.
Manastirliu ka bërë me dije se qevria shqiptare deri në sot ka disbursuar 32 milion Dollar për blerjen e vaksinave si dhe ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet financiare për përballimin e pandemisë.