Policia vijon kontrollet intensive në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Gjatë fundjavës, janë arrestuar në flagrancë 30 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 21 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë: ?Janë pezulluar 179 leje drejtimi, nga të cilat 52 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 112 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 15 për qarkullim në sens të kundërt. ?Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2789 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. ? Nga makina inteligjente janë evidentuar duke qarkulluar me shpejtësi tej normave të lejuara, 678 drejtues mjetesh. Një numër i konsiderueshëm drejtues të tjerë mjetesh janë evidentuar duke përdorur celularin apo pa vendosur rripin e sigurimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.