Në mesjavë u mund 2-0 nga PSG, në xhiron e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Tashmë duhet të përqendrohet te sfida e fundjavës në Premier League, për të ruajtur ritmin e kryesuesve. Pep Guardiola foli në konferencë për shtyp mbi shumë gjëra që lidhen me skuadrën e tij, duke konfirmuar: “Ne nuk kemi një qendër-sulmues, ndaj duhet të bëjmë ndryshime në lojë”.

Momenti i ekipit – “Niveli ynë ka qenë fantastik këtë javë. Unë kam rishikuar lojën, siç bëra me Chelsea, dhe ekipi ishte shumë i mirë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu në “Anfield”. Me skuadrën që kemi do të luajmë kështu. Ne nuk kemi një sulmues me nuhatje për golin, prandaj duhet të dominojmë dhe të bëjmë diferencën përmes lojës. Duhet të përfshijmë shumë lojtarë për të gjetur golin. Në ndeshjet e fundit kemi qenë në gjendje të krijojmë shumë raste”.

Gara për titull – “Liverpool dhe Chelsea në garë? Pse jo edhe Manchester United? Ju lutem…, që kur kam ardhur këtu, përveç dy sezoneve të para, Liverpool ka qenë gjithmonë pretendent. Gjithmonë. Sezonin e kaluar kishte shumë probleme me dëmtimet. Klasifikimi? Filloj ta shikoj renditjen me 10-12 ndeshje të mbetura. Tani, një pikë lart ose poshtë nuk luan rol. Ajo që ka rëndësi është ndjenja se si luan skuadra për momentin. Nga kjo anë duhet të vazhdojmë kështu”.

Duelet kundër Klopp – “Jurgen dhe ekipet e tij më kanë ndihmuar të jem një trajner më i mirë. Ai më ka vënë në një nivel më të lartë të kërkesës për të menduar, punuar dhe përpjekur të mposht ekipet e tij. Kjo është arsyeja pse jam ende në këtë profesion. Unë mendoj se lojërat tona kanë qenë tërheqëse. Të dy si trajnerë kemi një qëllim të përbashkët: të arrijmë në majë dhe të shënojmë sa më shumë gola që mundemi.

Ne e bëjmë këtë në një mënyrë tjetër, Klopp ka manovër më të shpejtë, por qëllimi përfundimtar është i njëjtë. Jam i kënaqur që tifozët po kthehen në “Anfield” dhe ne mund të përjetojmë përsëri një atmosferë fantastike. Jam i sigurt se lojtarët e shijojnë më shumë kështu ndeshjen. Ne nuk kishim fituar prej një kohe të gjatë në “Anfield”, sepse ata janë një ekip i madh. Natyrisht, tifozët gjithmonë ndihmojnë shumë, por ne përpiqemi ta bëjmë ndeshjen tonë me ose pa tifozë”.