Albin Kurti i bëri thirrje serbëve të Kosovës që të mos i nënshtrohen presionit dhe frikësimit gjatë votimit për zgjedhjet lokale.

“Duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku çdo qytetar i Republikës voton mbi bazën e bindjeve personale”, tha kryeministri kosovar gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësuesin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen në 17 tetor. Qytetarët me të drejtë vote do të mund t’i zgjedhin kryetarët e rinj të 38 komunave dhe përfaqësuesit e asambleve komunale. Misionet e Bashkimit Evropian për vëzhgimin e votimeve e kanë pohuar disa herë në të shkuarën se qytetarët serbë, që nuk e kanë përkrahur Listën Serbe, janë frikësuar.

Të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë aktualisht udhëhiqen nga kjo parti e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e deklaroi hapur se të gjithë kandidatët që nuk i përkasin Listës Serbe, nuk do ta kenë përkrahjen e shtetit të tij, ndërsa i bëri thirrje serbëve të Kosovës të bashkohen dhe të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e së dielës.