Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar takimin e parë në samitin e Brodos, që pas tensioneve mes dy palëve për reciprocitetin e targave. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe kancelarja gjemrnae Angela Merkel, si edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Përmes një postimi në ‘Twitter’, Kurti bën me dije se kanë diskutuar mbi procesin e Berlinit, teksa ka theksuar se qeveria e tij do të mbështesë çdo marrëveshje, por me kushtin ku të gjitha vendet e Ballkanit të trajtohen të barabarta.

“Në një bisedë me kancelaren Merkel, Presidentin Emmanuel Macron dhe Presidentin e Serbisë, ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e BB6 trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, shkruan Kurti.

Sakaq, takimin e ka konfirmuar edhe Vuçiç, i cili ka thënë se do ta vazhdojnë dialogun me Kosovën, por tema e parë e diskutimit duhet të jetë Asociacioni i Komunave Serbe (ZSO).

“Biseduam për diplomat, njohjen e profesioneve. Kjo përfundimisht do të kontribuonte në lirinë më të mirë të lëvizjes. Shpresoj se ne do të jemi në gjendje t’i zgjidhim këto çështje, kurse në thelb te jene çështjet e rëndësishme për të ardhmen. Sigurisht, ne do të vazhdojmë dialogun, por tema e parë duhet të jetë Asociacioni i Komunave Serbe, ashtu siç ishte shkruar në deklaratën e BE-së”, tha Vuçiç.