Kryeministri Edi Rama u bën thirrje të gjithë studentëve që të vaksinohen. Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se të gjithë studentët duhet të shfrytëzojnë javën e vaksinimit masiv, nga data 11 deri në 17 Tetor.

“Dhe me inkurajimin ndaj çdo studenteje e studenti që nuk është vaksinuar ende, që të shfrytëzojë “Javën e vaksinimit masiv të studentëve” mes datave 11-17 tetor në fakultetin ku studion, si rrugën për të hyrë në auditor me të tjerët dhe njëkohësisht si një detyrim moral e përgjegjësi qytetare në mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Një ditë më parë ministria e Arsimit njoftoi shtyrjen e fillimit të nisjes së vitit të ri akademik. Sipas të dhënave një pjesë e vogël e studentëve janë vaksinuar, ndaj është menduar që javën e ardhshme mos të ketë mësim, por një vaksinim masiv.