Kryeministri Edi Rama morri pjesë sot në konferencën e zhvilluar nga OSBE-ja për Europën Juglindore, me temë “Gazetari në kohë krizash”. Kryeminsitri foli për për lirinë e medias dhe për “fake news” dhe për problematikat mbi etikën e gazetarisë, duke iu referuar sidomos medias online dhe përhapjes së lajmeve të rreme në internet.

“Është padyshim kënaqësi për mua që gjendem këtu pasi diskutuam me ambasadorin e OSBE pak kohë më parë se si të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe se si të bashkojmë përpjekjet për të krijuar një mjedis më të mirë për liritë e medias dhe njerëzit e përfshirë. Nga ana tjetër më duhet të pranoj se nuk jam saktësisht njeriu i duhur për t’u ftuar në këto takime për shkak të opinioneve të mia që ndryshojnë nga ato politikisht korrekte kur bëhet fjalë jo për lirinë e medias, por për mënyrën se si në emër të kësaj lirie, shumë gjëra që shkojnë kundër konceptit të lirisë ndodhin. Po i referohem përhapjes së lajmeve të rreme në internet, të sjelljeve që priren të jenë kundër lirisë së njerëzve të tjerë, kundër të drejtave të njerëzve të tjerë, kundër logjikës, kur vjen fjala për gazetarinë e vërtetë që bazohet në të vërtetën, në kontrollin e fakteve dhe në konceptin e lirive të qarta dhe që mbështetet në ndjenjën e misionit për të përfaqësuar një fuqi të katër reale dhe për t’i trajtuar kësisoj pushtetet e tjera” tha Kryeministri Rama, duke shtuar “Mendoj që ka një vijë të hollë dhe padyshim është e rrezikshme që të përpiqemi t’i kombinojmë dhe t’i bëjmë të dyja bashkë të jetojnë në harmoni, kur vjen fjala nga njëra anë për respektin e lirisë së gazetarëve dhe nga ana tjetër për të respektuar lirinë e qytetarëve. Kur vjen fjala për median në internet, liria e përhapjes së kësaj medie, ka minuar njëfarësoj lirinë e fjalës. Liria e përhapjes nuk mund të jetë njësoj me lirinë e fjalës. Është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, kur bëhet fjalë për rregullimin e kësaj hapësire kaotike ku të vërtetat e gënjeshtrat janë bërë bashkëshoqëruese e bashkëjetojnë duke e bërë të vështirë dallimin”.

Më tej ai tha se nuk ishte dakort që t’i largohmi sfidës, por që duhet të gjehet një mënyrë për t’u përballur me këtë problem.

“Nuk mendoj se mënyra më e mirë është t’i largohesh sfidës dhe të mbash një qëndrim që në emër të lirisë na duhet thjesht të bëjmë durim me këtë mal gënjeshtrash, akuzash, shpifjesh apo shantazhesh që ditët e sotme janë shndërruar në problem të madh. Mendoj se na duhet që të reflektojmë për këtë. Ndoshta e kemi mësuar në praktikë se kjo nuk lidhet vetëm me qeverinë apo shumicën parlamentare e aq më pak ka të bëjë kjo me vendet e vogla, pasi kur bëhet fjalë për t’u përballur me këtë sfidë, duhet përballur një mori paragjykimesh e një mori reagimesh që vijnë nga bota e të qënit politikisht korrekt. Mendoj që kjo lidhet me përpjekjen e përbashkët të të gjitha shoqërive e vendeve demokratike dhe shpresoj se duke nisur nga fuqitë më të mëdha duhet të ngrihemi kundër lirisë së përhapjes si e barabartë me lirinë e fjalës, sepse nuk është vërtet kështu. Nëse imagjinojmë sa shumë dëm mund t’i bënte botës propaganda naziste, duke shfrytëzuar këtë liri, është një imazh tronditës apo edhe pa u përpjejkur të imagjinoni përpiquni të mendoni për dëmet që shkaktohen në përditshmëri nga burimet aktuale të së keqes, nga terrorizmi, të gjitha llojet e ekstremizmave, deri tek pedofilia dhe të gjitha sëmundjet të tjera të shoqërisë modern, që përmes lirisë për të përhapur lajme mund të prekin e dëmtojnë shumë qënie njerëzore dhe shumë grupe në nevoje si dhe shumë pjesë delikate të shoqërive tona. Vërtet që është me rëndësi të mbrojmë lirinë e fjalës të lulëzojë dhe të sigurohemi që kushdo që ka diçka për ta thënë, të mund ta thotë. Por kjo nuk mjafton, na duhet po ashtu të mbrojmë njerëzit”, deklaroi Kryeministri Rama.

Më pas Kryeministri dha shembuj nga eksperienca personale me mediat ndërkombëtare për të ilustruar etikën gazetareske që duhet të kenë mediat në vend dhe kudo në botë.

“Dua ta mbyll me një përvojë personale, para disa kohësh u ftova të shkruaja një artikull për “The Guardian” në fillim të viteve ’90. Ishte përvoja ime e parë me mediat ndërkombëtare dhe më mahniti saktësia e tyre në botimin e artikullit tim të shkurtër. Nuk e botuan, edhe pse ishin gati për këtë, por donin të verifikonin me mua nëse mund t’i ndryshonin titullin dhe ngaqë nuk arrita t’i përgjigjesha në kohë, sepse atëherë nuk kishim as celularë, ata pritën të merrnin përgjigje nga unë. Kjo përvojë u pasua me një tjetër, edhe më befasuese, me “The New Yorker” kur Xhejn Kramer erdhi të bënte një portret timin. Ajo qëndroi një javë, takoi shumë njerëz dhe para se të largohej më tha ‘duhet të të them që ka dhe diçka, për të cilën duhet të përgatitesh, duhet të presësh të bëhet një kontroll neurotik i fakteve në artikullin tim’. Në fillim nuk e kuptova për çfarë e kishte fjalën, pastaj mësova se ata për çdo njeri që përmendej në artikull, edhe për gjëra shumë të vogla i telefonin dhe kërkonin pohimin e tyre për çdo fjalë që shkruhej në artikull dhe i citonte ata. Kur i thashë që kjo është pak e tepërt, më tha se kjo ishte arsyeja pse ata nuk kanë humbur kurrë ndonjë çështje gjyqësore në SHBA. Nëse e krahasoni këtë me atë që po ndodh përditë në fluks të pandalshëm informacioni përmes medias në internet dhe sa herë që duhet të shihni se jeni keq cituar apo ekspozuar që ke thënë gjëra që as të kanë shkuar nëpër mend dhe jo më ti thuash kjo është përtej këtij komunikimit, e papranuehsme”.

Kryeministri theksoi edhe njëherë madhësinë e demit që u shkaktohet qytetarëve nga veprimet joetike të medias.

“Po të shkojmë tek njerëzit normal që janë qytetarët e thjeshtë, imagjinoni çfarë dëmi u shkakton atyre. Sepse kur je politikan, kur je zyrtar i zgjedhur apo mban një detyrë mund ta stërvitësh veten dhe mbijeton, pra më duhet të bashkëjetoj me këtë. të gjitha mënyrat për të kundërsulmuar janë mënyra të rrezikshme për veten sepse etiketohesh si një njeriu kundër lirisë së medias.

Por kur sheh, fëmijët e tu apo familjen e cila cënohet me gjëra të pabaza, çfarë bën – shkon në gjykatë? Po pastaj? Duhen vite që kjo situatë të zgjidhet, por dëmi është bërë. Ndaj kur mendon që kapaciteti që këto gënjeshtra të jenë dëgjuar dhe lexuar është shumë herë më i madh sesa kapaciteti i së vërtetës për t’u lexuar e për t’u dëgjuar, kjo shndërrohet në një makth të vërtetë. Jam i sigurt që njerëzit këtu e njohin këtë vlerësim që i është bërë përhapjes së informacionet përmes “Twitter” ku postimet e pavërteta, kishin një përhapje shumë të lartë. Unë mendoj që shoqëritë tona dhe bota jonë po përballet me sfida të mëdha dhe një lloj sfidë që duhet trajtuar në mënyrë kreative, pa harruar sa e rëndësishme është të mos kufizojmë lirinë e fjalës, ndërsa përpiqemi të rregullojmë lirinë e përhapjes, por mendoj se ta lësh të pa trajtuar e thjesht të predikosh për lirinë përballë këtyre valëve kaq shkatërrimtare të pavërtetave nuk është zgjidhja. Unë nuk e kam zgjidhjen se po ta kisha ndoshta do ta kisha fituar edhe unë çmimin “Nobel”. Kjo është arsyeja pse jam i lumtur që gazetarët fituan çmimin “Nobel”. Unë i respektoj gazetarët që luftojnë për të vërtetën deri në fund, duke u përballur madje edhe me regjime të rrezikshme, por nuk jam optimist duke parë atë që ndodh dhe vërtet nuk e kuptoj pse televizionet dhe gazetat duhet e janë të rregulluara, ndërsa mediat online të mos mund të rregullohet. E dëgjoj qartë dhe pastër ato që thuhen për vetërregullimin, por nuk jam i sigurt që vetërregullimi do funksiononte aq shpejt sa duhet krahasuar me vëllimin e të dhënave që duhen përpunuar. Ka një nevojë të jashtëzakonshme për integritetin e së vërtetës dhe integritetin e vetë medias”, e mbylli fjalën e tij Kryeministri Rama.