Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e 30-vjetorit të UNDP ku shprehu mirënjohjen për mbështetjen që ka dhënë programi në Shqipëri.

Kryeministri Rama tha: “Edhe pse Shqipëria u anëtarësua në OKB në vitin 1955, kaluan 36 vjet para se të niste marrëdhënia domethënëse mes vendit tonë dhe OKB përmes UNDP. Ajo që bën përshtypje në të gjitha arritjet që u përmendën, është se UNDP ka qënë e pranishme në të gjitha pikat kyçe të procesit të jashtëzakonshëm të transformimit të vendin nga një diktaturë totalisht e mbyllur në një demokraci në ndërtim e sipër.

Programi ka qënë i pranishëm në hapjen e shkollës së parë Publike të Administratës, ka qënë i pranishëm në trazirat e vitit 1997, ku përmes UNDP u pilotua nisma e armëve në këmbim të zhvillmit. Programi ka qënë i pranishëm në periudhën e kthesës historike të Tiranës, ku pas një 10-vjeçari koasi të jashtëzakonshëm dhe deformimi urban të paimagjinueshëm si rezultat i prurjeve demografike drejt Tiranës dhe i mungesës së plotë të ligjit dhe rregullit, nisëm një rrugë të re duke u përpjekur të kthejmë qytetet te njerëzit, duke u përpjekur t’i japim njerëzve sensin e hapësirës publike, jo më të ndodhur aty si rezultat i mungesës së plotë të pronës private, por si hapësirë e ndërmjetme mes pronave private.

Falë programit kemi pasur mundësinë të bëjmë ndërhyrje të rëndësishme në aspektin financiar, por edhe të ndërveprojmë me një organizatë që më shumë se paratë ka si vlerë të sajën dijen dhe aftësinë për të transferuar dije në funksion të gjithçkaje që ka të bëjë me organizimin, që nga konceptimi i një projekti deri te rruga për zbatimin e tij.

Duken si gjëra që kanë qënë aty gjithmonë, por nuk ka qënë kështu. Një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në një kurs të vërtetë kundër analfabetizmit, në raport me demokracinë e jo letërsinë. Këtu programi ka një dorë të paharrueshme në historinë e vendit”.

Kryeministri përmendi mbështetjen e programit në reformat, si ajo territoriale dhe administrative dhe reforma e drejtësisë, si dhe ndihmën për çështjen e përmbytjeve, si dhe për procesin e rindërtimit. Ai e konsideroi, në mbyllje të fjalës së tij, UNDP si faktor me rëndësi të veçantë të jetës ekonomike, sociale e politike të vendit, për të gjitha mbështetjet dhe ndihmat që Programi i OKB-së ka dhënë në vendin tonë.