Kryetari i Bashkisë së Tiranës vijon turin për inaugurimin e shkollave të reja që po hapen këtë vit të ri shkollor në kryeqytet. Sot kryebashkiaku Veliaj së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi inauguruan shkollën e re “Hasan Vogli” në Njësinë 9.

Veliaj tha se shkolla e re do i japë një tjetër vlerë zonës. “Shkolla “Hasan Vogli” me gjasë do imponojë këtë estetikë dhe këtë kulturë në gjithë këtë komunitet. Unë mezi pres të marr aplikimet nga pallatet përreth. Bashkia paguan 50% të veshjes me kapotë, Bashkia paguan 50% ndërhyrjes në tarracë, Bashkia paguan 50% që të vihet një ashensor. E bukura të imponon një sjellje qytetare. Po krijojmë një standard”, sqaroi ai.

Më tej kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se ka një ekosistem të tërë që merret me fëmijët, teksa vë në dukje faktin që Bashkia Tiranë duhet të përballet me gjyqe ku kërkohet heqja e kangjellave që mbrojnë fëmijët kur dalin në rrugë.

“Jam marrë me një gjyq të një linjë autobusi që e hoqëm sepse në mënyrë sistematike shoferët ishin të dehur, pinin cigare në autobus, flisnin në celular, në mënyrë sistematike bëheshin aksidente, nuk vinte shërbimi në kohë. Na ka ndodhur që humbasim gjyqe për kangjellat që vëmë në rrugë për të ruajtur fëmijët që dalin nga shkolla. Del njëri që ka një gomisteri apo një lavash dhe i thotë gjyqtarit: Na lekët, m’i hiq kangjellat që ka vënë Bashkia. Ekosistemi i shkollave është më i madh, ka të bëjë edhe me trafikun, ka të bëjë dhe me masat mbrojtëse, ka të bëjë edhe me vendime e gjykata, dhe fakti që sot kemi gjyqtarë që për një bakshish, për një drekë japin vendime banale që rrezikojnë jetën e fëmijëve do të thotë që misioni i Hasan Voglit nuk ka mbaruar akoma”, theksoi Veliaj. Ai shtoi: “’It takes a village to raise a child’, duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë. Nuk është vetëm prindi, por është edhe mësuesi, edhe polici, edhe shoferi i autobusit, edhe psikologu, edhe komshiu, është gjithë ky sistem”. Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj theksoi se viti 2021 do të mbahet mend si viti që janë ndërtuar më shumë shkolla të reja se çdo vit tjetër.

“Kemi më shumë shkolla të reja me standarde bashkëkohore, të forta, të sigurta, me laboratorë e terrene sportive. Përfitues nuk janë vetëm nxënësit dhe mësuesit por të gjithë anëtarët e komunitetit, pasi këto shkolla kthehen në qendra sociale, kulturore e artistike për të gjithë komunitetin. Por nuk mjafton vetëm një ndërtesë e bukur për të pasur një arsim cilësor por na duhet që edhe mësuesit të jenë profesionistë të aftë e të përkushtuar. Prandaj ne i zgjedhim më të mirët që kur fillojnë studimet për mësuesi. Jo çdo maturant mund të studiojë për mësuesi, por vetëm ata që kanë mesatare të lartë, sepse ne duam që mësuesit për fëmijët tanë të jenë më të aftët. Edhe pasi diplomohen e marrin liçencën ata duhet të punësohen nëpërmjet portalit ‘Mësues për Shqipërinë’, i cili karakterizohet nga transparenca dhe meritokracia”, tha Kushi.

Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli” është një nga 10 shkollat e reja dhe dy kopshtet që po hapen për fillimin e vitit të ri shkollor në Tiranë, duke mirëpritur nxënësit me kushte më moderne dhe standarde europiane.