Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se paketa mbështetëse që po përgatitet nga qeveria në përgjigje të krizës globale energjetike merr parasysh jo vetëm rritjen direkte të çmimit të energjisë elektrike, por edhe atë indirekte.

Gjatë deklaratës për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj pranoi se kriza do të ketë ndikim jo vetëm në buxhetin e këtij viti, por edhe të vitit 2022.

“Është duke u përgatitur një paketë e plotë që po merr parasysh jo vetëm rritjen të çmimeve të energjisë në vend, por edhe efektet e raundit të dytë që mund të ndikojnë në një rritje të çmimeve në total. Në të gjithë botën po materializohen rritje çmimesh. Te ne nuk është përcjellë ende. Jemi duke vëzhguar me kujdes se si rritja e çmimit të energjisë apo gazit do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera dhe paketa e cila do të prezantohet do të marrë parasysh si efektet direkte, edhe ato indirekte të çmimit të energjisë“, tha Ibrahimaj.

Ministrja më tej theksoi se po punohet për të patur një panoramë më të qartë se sa do të jetë kostoja në buxhet e krizës.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjencitë e tjera janë duke punuar për të bërë një planifikim të qartë e eficient të nevojave që ka vendi. Në ditët në vijim do të ketë një tablo të qartë për nevojat për vëllimin e energjisë dhe koston e financimit për të përballuar këtë krizë. Sigurisht që do të ketë ndikim edhe buxhetin e këtij viti dhe të atij që vjen”, tha ajo.

Ministrja informoi po ashtu se qeveria miratoi shtyrjen e afatit të zbatimit të programit për nxitjen e punësimit për të prekurit nga pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2 deri në vitin 2023.

“Mbështetja e qeverisë si për qytetarët, ashtu dhe biznesin bënë të mundur që punësimi në fund të vitit 2020 të mbante nivelet e fundit të vitit 2019. Ndërkohë iniciativat e reja nxitën punësimin në ekonomi. Në qershor të vitit 2021 kemi një numër të punësuarish që është 5.3 % më i lartë se në vitin 2020 dhe 3.2 % më i lartë se në vitin 2029”, deklaroi ministrja.