Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme i bindur se në vend nuk do ketë ndërprerje të energjisë elektrike, pavarësisht krizës së paralajmëruar pak ditë më parë. Rama u shpreh se ndërprerja përgjatë këtyre ditëve në zona të caktuara mund të ketë ardhur për shkak të defekteve që nuk kanë lidhje me krizën.

Rama tha shpjegoi pse qeveria detyrohet të shesë energjinë elektrike me çmim të lirë gjatë verës, në një kohë kur ai tha se të gjithë vendet kanë energji, ndërsa detyrohet ta blejë shtrenjtë atëherë kur të gjithë kanë kërkesë.

“Nga u mor vesh që do rriten çmimet? Kriza na ka kapur. Sepse jemi të varur nga tregu ndërkombëtar i energjisë. Për sa I përket çmimit nesër do të dal për ndarë planin që ne kemi bërë gati, për emergjencë. Kriza është reale. Çmimet janë rritur. Ne prekemi sepse ne dalim në treg. Jemi të detyruar të blejmë energji elektrike.

Ne varemi nga shiu. Të varesh nga uji, do me thënë që ti të kesh një sistem që ta mbash ujin rezervë për ta përdorur kur të ketë kohë thatësire. Prandaj ne po ndërtojmë Skavicën. Ne sot detyrohemi ta shesim energjinë lirë, sepse kur e shesim ne kanë të gjithë dhe detyrohemi ta blejmë shtrenjtë, sepse kur e blejmë ne nuk ka asnjë.

Nuk ka arsye të ikin dritat. Fikje dritash për arsye defektesh nuk kanë lidhje me sistemin e shpërndarjes. Përpara ishte një sistem i painvestuar që kur u vunë shtyllat e elektrifikimit. Patjetër që ka defekte këtu ose atje.

Kufizime energjie për shkak të mungesës së energjisë, nuk do ketë. Nuk është një pyetje kjo sepse askush nuk ka thënë që do ketë kufizime. Britania e Madhe ka bërë planin e kufizimit të energjisë elektrike. Situata është keq. Është realisht keq”, u shpreh Rama.