Qeveria e Kosovës më 23 tetor njoftoi se ka miratuar masat e reja kundër pandemisë së koronavirusit.
Ndër masat e reja është ndryshimi i orarit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve që do të jetë nga mesnata deri në ora 05:00. Ky kufizim më herët fillonte nga ora 22:00.

Po ashtu, bizneseve të gastronomisë u është zgjatur orari i punës deri në orën 23:00.

Sa i përket arsimit, sipas masave të reja të marra nga Qeveria e Kosovës, procesi mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar në të gjitha nivelet, do të zhvillohet me orar të rregullt dhe me prani fizike.

Më herët, ekzekutivi kishte lejuar që procesi edukativ në arsimin parauniversitar të bëhej sipas skenarëve dhe me praninë e jo më shumë se 20 nxënësve në një klasë.

Po ashtu, sa i përket numrit të personave që mund të marrin pjesë në ngjarje të zhvilluara në ambiente të jashtme dhe të mbyllura, ka ndryshime në masa. Sipas vendimit të ri, do të lejohen grumbullimet e 70 personave në ambiente të jashtme që marrin në ngjarje kulturore, ndërkaq, në aktivitete që zhvillohen në ambiente të mbyllura do të lejohen 30 persona.

Po ashtu, ceremonitë fetare dhe pritjet për ngushëllim, që mbahen në ambiente të mbyllura, do të lejohen që të marrin pjesë deri në 30 persona, ndërkaq në ambiente të hapura 70 persona, duke respektuar distancën dhe duke mbajtur maskën.

Masat e tjera nuk dallojnë shumë nga ato që janë në fuqi, siç është mbajtja e maskës dhe distancës. Po ashtu, dëshmia përmes certifikatës së vaksinimit apo testeve negative për koronavirus do të kërkohen për hyrjen në institucione shtetërore e private, gastronomi, institucionet arsimore dhe për hyrje në shtetin e Kosovës.

Qeveria tha se këto masa kanë për qëllim të parandalojnë shpërndarjen e COVID-19 në tubime, siç janë edhe ato të procesit zgjedhor, ku grumbullohen një numër i madh njerëzish.

“Masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë provuar si jetike për të kufizuar përhapjen e COVID-19. Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është stabile, por rreziku mbetet sepse varianti Delta vazhdon të jetë dominues te ne dhe se në vendet e tjera në rajon dhe botë ka përkeqësim të njeshëm të situatës epidemiologjike”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Kosova së fundmi ka regjistruar numër më të ulët të rasteve të reja me koronavirus.