Refuzimi që Qeveria e Kosovës i bëri gazsjellësit amerikan, ka sjellë akuzat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt ndaj kryeministrit Albin Kurti duke kërkuar dorëheqjen e këtij të fundit. Haradinaj nuk ka pëlqyer as marrëveshjen e arritur në Bruksel për targat, duke thënë se më këto veprime të fundit ai po rrezikon seriozisht partneritetin me SHBA dhe kjo sipas tij vetëm se Kurti po i shërben Rusisë

Gjatë një konference për shtyp, Haradinaj, duke e cilësuar Kurtin si mashtrues, shprehet se është e rrezikshme për Kosovës që ai të vijojë të drejtojë vendin.

“Albin Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar shtetin e Kosovës dhe partneritetin me SHBA-të. Ky njeri i ka plotësuar të gjitha kushtet të japë dorëheqje. Mbetja e tij në këtë detyrë, qoftë edhe për një ditë të vetme është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën. Unë me kohë e kam vërejtur se është mashtrues e i rrezikshëm për vendin. Ata nuk e kanë punën tek kosotoja. Ideologjia e tyre e një të majte pro ruse i bind se gjithçka po bëhet në të keqen e Kosovës. Është absurde sot të guxosh të arsyetohesh për një grant që i ka 200 milionë pare, e ka një kredi të butë dhe i ka 100 milionë investime në Kosovë, vjen nga Amerika dhe e siguron gastrofikimin e Kosovës. Çdo ditë e humbur nga Qeveria jonë, është një ditë e humbur vonesë në fuqizimin politik, ekonomik dhe të sigurisë së Kosovës”, tha Haradinaj.

Një ditë më parë qeveria e Kosovës njoftoi se nuk do të vazhdojë më tej me përfshirjen e vendit në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane, me arsyetimi se duhet më shumë informacion rreth projektit të gazsjellësit për të ditur nëse është projekt adekuat për tranzicionin energjetik të Kosovës.