Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët e BE-së në Tiranë për sfidat e Reformës në Drejtësi.

Manja, e cilëson takimin si një ditë të bukur për drejtësinë dhe thekson se është domosdoshmëri përmbyllja e procesit të Vetingut.

“Me ftesë të ambasadorit Soreca pata mundësinë për të biseduar me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE mbi nevojat dhe sfidat për konsolidimin e Reformës në Drejtësi, domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të Vetting-ut nga organet e Vetting-ut dhe për mbështetjen e Shkollës së Magjistraturës”, shprehet ai.

Po ashtu Manja shton se në takim mori mbështetjen e miqve për thellimin e Reformës në Drejtësi.

“Mbështetja e pakursyer e miqve të Reformës në Drejtësi mbetet thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut tek drejtësia e re dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri! I hapur për bashkëpunim konkret me të gjithë aktorët e drejtësisë së re, në koordinim dhe në dakordësi të plotë me të gjithë miqtë e Reformës së Drejtësisë dhe të Shqipërisë”, shprehet Manja.