Nga Alfred Peza
Lulzim Basha ka rënë në kurthin e propogandës së Sali Berishës, duke u kompleksuar aq shumë për raportet e tij me Edi Ramën, sa kërkon ti mbushi mendjen demokratëve për të kundërtën e asaj që akuzohet. Në kërthizën e miteve ballkanike, ku ngrysesh hero dhe gdhihesh tradhëtar, ky është ai i vetmi kurth fatal ku një politikan nuk duhet të bjerë kurrë edhe sikur të jetë Skëndërbeu apo Nënë Tereza. Por “lideri historik” e di si ta sjellë vërdallë nxënësin e tij kopjac, ndaj po luan me të, lojën e maces me miun.

Në vend që të fokusohet tek sqarimi i rrethanave politike të vendimit të tij për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Lulzim Basha hesht. Në vend që të fokusohet tek sqarimi i domosdoshmërisë jetike për opozitën, që të jetë në anën e SHBA në këtë histori, Lulzim Basha bën lojën e strucit. Në vend që të fokusohet tek ndërtimi i PD dhe opozitës post- Sali Berisha, kur zgjedhjet e radhës pothuajse janë duke trokitur, Lulzim Basha rrotullohet rreth vetes.

Kjo i bën sot edhe demokratët me kontributet më të mëdha në këto tri dekada, që të deklarojnë me brengë në zemër, se PD aktualisht nuk ekziston. Ajo nuk është më ajo partia për të cilën ata punuan, kanë kontribuar e dashur gjithmonë që të jetë përballë PS. Kjo i ka bërë edhe aleatët më të betuar brenda së djathtës, që të deklarojnë me keqardhje të thellë, se PD është shpartalluar duke u zhytyr në një krizë të thellë lidershipi, pa organizim, struktura funksionale dhe frymë.

PD duket si një bashkësi njerëzish, e ndarë në dy grupe të mëdha, ku secili ka kapur nga një hu’ në dorë e i janë turrur njëri tjetrit për ti rënë ku të mundin. Kjo është pak a shumë miniaturë e asaj skene që thuhej se e ka përshkruar Ajnshtajni, si Luftën e Katërt Botërore pas të Tretës, ku bomba atomike do ta shfaroste njerëzimin bashkë me qytetërimet tona. Janë skena të dhimbshme, ku Lulzim Basha ka rënë në kurth, duke u vendosur përballë një lideri si Sali Berisha që është kampion bote në këtë lloj sporti.

Duke dashur që ti tregojë berishistëve se “nuk i ka tradhëtuar”, se “nuk i ka ngulur thikën pas shpine babait politik”, se “nuk ka bërë pakt të fshehtë e pazar” me Edi Ramën, Lulzim Basha impostohet edhe kur nuk është nevoja. Edhe në foltoren e sallës së Parlamentit. Edhe në oborrin e SHQUP. Edhe nëpër mbledhjet e strukturave drejtuese përballë mbështetësve të Sali Berishës. Duke iu shmangur asaj që duhej të ishte arma e tij më kryesore në këtë moment; komunikimi me publikun.

E në vend që të bëjë një garë të kithët, për ti treguar demokratëve se ai është e ardhmja dhe Sali Berisha e shkuara, Lulzim Basha mjerisht bën sikur e ka garën me Edi Ramën. Duke harruar se gara e tij me Kryetarin e PS, Kryeministrin dhe shefin e mazhorancës, ka mbaruar që më 25 prill. Tani Lulzim Basha e ka garën me veten. Me të renë. Më ndryshimin. Me kohën. Me të ardhmen.

Nëse dëshiron vërtetë që ti arrijë një ditë ambicjet e tij të mëdha politike, kjo është lufta finale e Lulzim Bashës, kundër Sali Berishës. Kundër berishizmit. Kundër të shkuarës. Kundër të vjetrës. Për ti dhënë fund tranzicionit të lidershipit opozitar, duke i hapur rrugën të resë. Progresit. Futjes së kulturës së re politike, përmes promovimit të elitës së lindur e rritur në pluralizëm, bartëse e vlerave të traditës dhe të së djathtës europiane në Shqipëri.

Ajo që pritet të bëjë Lulzim Basha, nuk është ndonjë shpikje ekskluzive e tij, as në teorinë dhe as në praktikën politike. Çdo lider i ri prandaj e mer mandatin gjithmonë pas disfatave të mëdha elektorale të partive dhe grupimeve të tyre politike. Sepse prej tij, kërkohet që të çmontojë të gjitha pengesat dhe të eleminojë gabimet e së shkuarës, në mënyrë që të krijojë një skuadër të re. Me program të ri. Frymë të re. Derisa të sjelli ndryshimin që e rikthen opozitën në pushtet.

E që kjo të ndodhë, largimi i Sali Berishës ishte kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Ai duhet të shoqërohet me hapa të tjerë, pa u ndalur deri në çmontimin e plotë të berishizmit, përmes një aksioni të madh politik që frymëzon, bashkon dhe sjell erën e pandalshme të ndryshimit. Pas kësaj Lulzim Basha ka punë me Edi Ramën dhe mazhorancën e tij, për ti dhënë opozitës fitoren në zgjedhjet lokale të 2023 dhe ato të përgjithëshm parlamentare, të 2025.

Lulzim Basha po mbytet fatkeqësisht, në një pikë ujë, duke e marë të mirëqenë furtunën në gotën e propogandës berishiste. Duke mos u ngritur në lartësinë e sfidës së ka përpara, PD nuk rrezikon që të rikthehet nën drejtimin e Sali Berishës apo një “Luli” tjetër që do emërojë ai përsëri, por të shkatërrohet përfundimisht. Ajo që po ndodh sot me PD, është fatkeqësisht, kopja pluraliste e historisë së PPSH. Berishistët si enveristët, i janë sulur Lulzim Bashës si dikur Ramiz Alizë, me ndryshimin se demokratët sot mirë që nuk kanë as kryetar e as lider, por nuk kanë as edhe një Dritëro!