Njeriu që bindi Zlatan Ibrahimovic të mos heqë dorë nga futbolli dhe të vazhdojë karrierën e tij. Në dukje i panjohur, Johnny Gyllensjo luajti një rol kyç në jetën e sulmuesit suedez. Për mikrofonat e “La Gazzetta dello Sport”, trajneri i parë i Ibrës te Malmoe tregoi për të kaluarën e lojtarit të Milanit dhe zbuloi një sfond të jetës së suedezit:

“Duket e çuditshme, por në moshën 15-vjeçare trupi i tij nuk ishte aq imponues. Ai kishte një teknikë të shkëlqyeshme, po, stërvitej për të dribluar dhe ishte tashmë shumë i mirë në këtë drejtim. Megjithatë, fizikisht, ai shpërtheu më vonë”.

Gyllensjo tregoi përshtypjet e tij të para kur pa Zlatan: “Padyshim që ishte i fortë, ju mund ta konstatoni këtë menjëherë. Shumë ndryshe nga të tjerët, brenda dhe jashtë fushës. Ai shkonte gjithmonë për t’u stërvitur rreth shtëpisë së tij, në Rosengard, në mesin e ndërtesave. Nëse nuk stërvitej me ne, shkonte për të luajtur me shokët, aty ku tani është fusha e ndërtuar nga Zlatan për fëmijët”.

Ndër shumë historitë e treguara për fëmijërinë dhe adoleshencën e Ibrës në Malmoe, ka një, që ish-trajneri i tij e mban mend veçanërisht: “Më kujtohet momenti kur vodhi biçikletën e një personi nga stafi i trajnerit dhe e ktheu atë në fushë të nesërmen. Nuk ishte gjithmonë e lehtë me të”.

Sipas trajnerit, lojtari që do të duket më shumë si Ibrahimovic, është “armiku” i tij i madh në fushë: “Unë e di se ata nuk janë me të vërtetë miq, por në qëndrim, në personalitet, shoh diçka nga Ibra te Lukaku”.