Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti ambasadorin e Hungarisë në vendin tonë, Lóránt Balla.

Pasi shprehu urimet për zgjedhjen e Nikollës në detyrën e kryetares së Kuvendit, ambasadori Balla rikonfirmoi vullnetin e Hungarisë për vazhdimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe mbështetjen e vendit tonë në procesin e negociatave dhe mbajtjen sa më shpejt të Tryezës së parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Hungaria është një mike e Shqipërisë, dhe të dy vendet tona kanë lidhje historike dhe miqësi tradicionale. Marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të mira. Ato u ngritën në një shkallë më të lartë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama dhe disa anëtarëve të kabinetit qeveritar në Budapest, në qershor të këtij viti.

Nikolla shprehu mirënjohjen për solidaritetin dhe kontributin e Hungarisë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti si edhe për përballimin e pandemisë. Ajo vuri në dukje mbështetjen e vazhdueshme e Hungarisë si edhe të Komisionerit Varhelyi për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, në veçanti për hapjen e negociatave dhe kontributin e diplomatëve hungarezë, të cilët po u ofrojnë ekspertizë institucioneve shqiptare në procesin paraprak për hapjen e negociatave.

“Ne vlerësojmë mbështetjen e Hungarisë dhe të vendeve të Grupit Vishegradit për mbështetjen e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, edhe nëpërmjet Fondit të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Fondin Ndërkombëtar të Vishegradit”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.