Gazetarja Fjodora Fjora iu bëri apel sot qytetarëve të vaksinohen kundër COVID-19, ndërsa shprehet se beson shumë tek shkenca dhe mezi ka pritur daljen e një vaksine.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu publikoi sot mesazhin e gazetares Fjodora Fjora.

“Mendoj që ndoshta momenti i parë dhe vërtet i rëndësishëm që unë përjetova atë panikun frikën, ndjesinë e një sëmundjeje vërtet të pabesë ishte humbja e një prej miqve të mirë Arben Bajo, skulptor shumë i njohur, natyrë energjike një njeri që e donte shumë jetën dhe nuk besonte në këtë sëmundje. Ai thoshte çfarë është ky Covid, kjo sëmundje nuk ekziston”, – shprehet Fjora.

Gazetarja Fjodora Fjora thekson se “jam një njeri që besoj shumë tek shkenca dhe mezi e prisja daljen e një vaksine”.

“Për mua ishte si ajo drita në fund të tunelit që po më dukej shumë i errët dhe po merrte jetët tona për keq”, vijoi ajo

“Pa dashur t’i predikoj askujt se çfarë duhet të bëjë dhe nuk duhet të bëjë në jetën e tyre mjafton vetëm të pyesin njerëzit e tyre që jetojnë në vendet perëndimore se sa e rëndësishme është dhe sa kanë punuar këto shtete për popullatën tyre që gjithçka më pas të hapet dhe gjithçka të shkojë drejt normalitetit, këtij normaliteti që ne e duam shumë këto ditë dhe po e kërkojmë me aq ngulm”, – tha Fjora.

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer 1 896 652 vaksinime antikovid në gjithë vendin. Vaksinimi antikovid vijon në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqendruar, çdo ditë të javës, ku çdo qytetar mbi 18 vjeç mund të vaksinohet me kartën e identitetit.

Krahas pikave të përqendruara dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit./