Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci.

Ai informoi se gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e konsolidimin e organeve të reja të drejtësisë.

“Mbështetja e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, forcimi dhe konsolidimi i tyre, asistenca e gjithanshme për Shkollën e Magjistraturës, mbështetja e projekteve antikorrupsion dhe programeve të transparencës dhe të tjera projekteve në vazhdim ishin temat e një diskutimi të hapur dhe tepër miqësor me ambasadorin italian, Bucci”, tha Manja.

Sipas tij, Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë, qoftë në nivel të BE, por dhe në marrëdhëniet direkt në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit.

“Shumë shpejt do të kemi dhe një takim në nivel ministror, si shprehje e vullnetit të mirë për ta çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin mes dy ministrive të drejtësisë së dy vendeve tona mike”, tha Manja.