Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka treguar detaje nga dy projektvendimet që u miratuan në mbledhjen e Këshillit të Ministrave gjatë ditës së sotme.

Njëra ka të bëjë me Eurobondin dhe nxjerrjen në treg në fillim të muajit nëntor, por ende nuk ka një datë të caktuar. Ibrahimaj sqaroi se do të përcaktohet nga këshilltarët ndërkombëtar.

Projektvendimi i dytë ka të bëjë me nxitjen e punësimit, arsimin profesional dhe bizneset e vogla duke thënë se janë bërë trajnime për digjitalizimin.

Ibrahimaj: Sot në Këshillin e Ministrave janë miratuar dy projektvendime të rëndësishme për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. E para ka të bëjë me Eurobondin dhe vlerën, ku siç kemi anoncuar në dalje të tjera, Eurobondi i cili pritet të dalë në treg në fillim të muajit nëntor do të ketë një vlerë prej 700 milionë euro. Procesi është duke u nhdjekur dita ditës nga ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe të gjithë këshilltarët ndërkombëtarë. Dalja në treg nuk është vendosur si datë pasi do të vendoset në bazë të këshillimit të këshilltarëve ndërkombëtarë që të marrim normën e interesit më të përshtatshme që të garantojë reduktim të kostove të borxhit publik në përgjithësi.

Nga ana tjetër, miratuam një projektvendim të rëndësishëm i cili ka lidhje me nxitjen e punësimit, arsimin profesional dhe bizneset e vogla. Sot miratuam një projektvendim që i hap rrugën rritjes së një granti nga qeveria gjermane prej 1.25 milionë euro, i cili i bashkohet një projekti posid duke e çuar në total 25.15 milionë euro. Projekti ka të bëjë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal me nxitjen e punësimit dhe arsimit professional. Nëpërmjet këtij projekti janë trajnuar një numër i madh biznesesh, një numër i madh individësh, një sërë mësuesish për digjitalizimin dhe janë pajisur laboratorët e IT me qëllim të edukimit profesional në fushën e IT.