SHBA e ka humbur garën me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale. Kështu ka deklaruar Nicolas Chaillan, ish-zyrtari kyç për softuerë në Departamentin amerikan të Mbrojtjes.

Në disa komente për të përditshmen britanike, Financial Times, Chaillan, i cili ka dhënë dorëheqjen më herët gjatë këtij muaji në shenjë proteste të asaj që e ka quajtur rrugë të ngadalshme të zhvillimit tekonologjik të ushtrisë amerikane, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë “mundësi që të garojnë kundër Kinës në 15 apo 20 vjetët e ardhshëm”.

“Tani për tani, është çështje e kryer. Sipas meje, është gjë e kryer. Chaillan po ashtu ka thënë se mbrojtja kibernetike në disa departamente qeveritare në SHBA, është në “nivelin e kopshtit të fëmijëve”, ka thënë ai.

Aktualisht, Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe është duke punuar me shpejtësi për të zhvilluar teknologjinë, përfshirë inteligjencën artificiale, gjenetikën dhe biologjinë artificiale. Kina po ndërton “Qytetin e Zgjuar”, drejtuar nga inteligjenca artificiale. Banorët që jetojnë në “AI City” (Qyteti i Inteligjencës Artificiale) dhe vizitorët e tyre, do të shërbehen nga inteligjenca, e cila përdor sensorë dhe pajisje për mbledhjen e të dhënave për të marrë informacione rreth tyre.