Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule e konsideroi si dështimin më të madh të PD-së dhe opozitën mos fitimin e zgjedhjeve parlamentare të 25, prillit duke bërë përgjegjës për këtë direkt kryedemokratin Lulzim Basha.

“Ne dështuam jo vetëm që të arrinim fitoren, po edhe të sjellim atë që pritej. Ishte një nga rastet, që kam qenë në vijën e parë pothuajse si kandidat dhe e konsideroj dështimin historik të këtyre 30 viteve”, tha Dule në emisionin “Breaking” në Top News.

Sipas tij, Basha nuk i thirri asnjëherë aleatët në zgjedhjet e 25 prillit dhe nuk bëri fushatë, duke e akuzuar për shmangien e aleatëve.

“Takimi i fundit mes Bashës dhe aleatët ka qenë në shkurt të këtij viti, më pas nuk kemi pasur. Kjo ka reflektuar dhe sa i përket më pas edhe votave në zgjedhjet e 25 prillit”, tha Dule.

Sa i përket përplasjeve brenda PD-së, Dule u shpreh se kjo dëmton së tepërmi opozitën.

“Në këto kushte ku është PD-ja ne nuk mund të ushtrojmë një opozitë konstruktive themi se do të ketë probleme në të bërit opozitë.

Një vend mund të ketë fatkeqësie të keqe me qeverisjen e një vendi, por fatkeqësia më e madhe është mungesa e opozitës”, deklaroi Dule.