Në ditën ndërkombëtare të moshës së tretë bashkia e Matit ka organizuar një takim në qendrën e të moshuarve Burrel. Kryetari i kësaj bashkie Agron Malaj tha se kujdesi nga ana e pushtetit lokal do të jetë i vazhdueshëm për të moshuarit.

“Kjo qendër frekuentohet kryesisht nga burra të moshuar. Bashkia ka menduar të ndërtojë edhe një qendër tjetër për gratë e moshuara, pikërisht në lulishten “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë.” Ne do të jemi pranë jush në çdo kohë, me të gjitha mundësitë që kemi si bashki”, theksoi Malaj gjatë fjalës së tij.

Në ceremoni përshendeti edhe kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Sefer Duka dhe kryetari i degës lokale të Kryqit të Kuq Mat, Abdi Pasha. Të moshuarit që morën fjalën thanë se vitet e fundit pushteti vendor ka treguar vëmendje të veçantë për të gjithë të moshuarit, jo vetëm për ato që frekuentojnë qendrën e tyre në qytetin e Burrelit.