Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken u takua dje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë dhe Nënkryetarin e Komisionit Evropian, Josep Borrell në Uashington, bëri të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Sekretari Blinken ”ripohoi rëndësinë e qëndrueshme të partneritetit SHBA-BE dhe angazhimin e SHBA për të punuar me BE për zgjidhjen e sfidave të përbashkëta”.

Blinken dhe Borrell diskutuan edhe zhvillimet në Afganistan dhe presin me padurim nisjen e dialogut të nivelit të lartë SHBA-BE mbi Rusinë dhe takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut SHBA-BE mbi Kinën, i cili do të zhvillohet këtë vit.

Sekretari Blinken mirëpriti strategjinë e BE-së për zonën e Indo-Paqësorit dhe ra dakord për fillimin e konsultimeve për këtë çështje në fund të vitit 2021.

Blinken shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë të ”BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, dhe theksoi nevojën për të vazhduar bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi shqetësimet e përbashkëta për rritjen e çmimeve të energjisë dhe efektin e tyre në rimëkëmbjen ekonomike globale.

Sekretari ripohoi mbështetjen e SHBA për një Evropë më të fortë dhe më të aftë në fushën e mbrojtjes, që kontribuon pozitivisht në sigurinë globale.