Vijimi i reformave strukturore për të garantuar rritje ekonomike dhe punësim dhe mbështetja e shtresave në nevojë janë dy nga prioritetet e shumicës qeverisëse në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Kështu u shpreh sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas miratimit me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve të kalendarit të shqyrtimit në Kuvend të buxhetit të shtetit për vitin 2022.

Balla tha se “Kuvendi miratoi shqyrtimin në parim më 15-16 nëntor dhe më 26 nëntor 2021”.

“Prioritetet e shumicës sonë qeverisëse janë vijimi i reformave strukturore për të garantuar rritje ekonomike dhe punësim; mbështetja e shtresave në nevojë; rritja e produktivitetit;
forcimi i shtetit ligjor; digjitalizimi i ekonomisë”, tha Balla.

Balla theksoi se parashikohet një rritje ekonomike 4 % bazuar në projektbuxhetin 2022 dhe në projektbuxhetin Afatmesëm 2023-2025.