Në prill të 1999-s, kur bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë nuk kishin mbushur ende një muaj që kishin nisur, Presidenti i SHBA, Bill Clinton zhvillon një bisedë telefonike me Presidentin rus, Boris Yeltsin për Kosovën. Transkriptimi i telefonatës së plotë është siguruar nga Gazeta Shqip dhe Zona Zero. Në të, Clinton i kërkon Yeltsin që të gjejnë bashkërisht një formulë për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë. “Kosova është testi më i madh përballë të cilit jemi vënë në Europë ne të dy. Njëri prej objektivave tanë është një Europë e lirë nga komunistët dhe diktatorët. Më vjen mirë që ti je duke u përfshirë në këtë mision”, thotë Clinton në telefonatën me Yeltsin.

Telefonata ka pasur vendimin e Presidentit rus për të caktuar një të dërguar të posaçëm të tij për Jugosllavinë. Ishte kulmi i konfliktit, ku mbi 1 milionë shqiptarë ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre të detyruar nga ushtria serbe gjenocidi i Millosheviçit.

Të dy Presidentët bien dakord që zgjidhja më e mirë është ajo diplomatike, por si mund të ulej Millosheviçi në tryezë? Clinton, në bisedën e siguruar nga Gazeta Shqip dhe Zona Zero propozon një ndërhyrje ndërkombëtare ushtarake për ta detyruar.

“E di Boris që këtu është në lojë një bast i madh. Po mundohemi të gjejmë një zgjidhje për paqe afatgjatë në Ballkan, por edhe një rrugë që do t’i garantonte Rusisë një rol në këtë proces të vendosjes së paqes. Kjo do të ndihmonte edhe në rikthimin në shinat e duhura të marrëdhënieve mes SHBA dhe Rusisë”, i thotë Clinton homologut të tij rus, Yeltsin.

Clinton dhe Yeltsin afruan shumë dy vendet në marrëdhëniet e tyre diplomatike, por ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ftohu këto marrëdhënie dhe shtoi presionin nda Boris Yeltsin, sidomos nga komunistët rusë, që të dërgojë ushtrinë në mbrojtje të serbëve, meqënëse SHBA doli në krah të shqiptarëve.

Në këtë telefonatë, Presidenti Yeltsin është i bindur se bombardimet e NATO-s nuk do ta përkulin dot Sllobodan Millosheviç, por vetëm sa do të përshkallëzojnë krizën humanitare që kishte shpërthyer.

“Nuk jam përballur kurrë me një çështje kaq të vështirë, komplekse dhe delikate, në një kohë që NATO vazhdon bombardimin ndaj Jugosllavisë. Zhvillimet e javëve të fundit konfirmojnë se SHBA dhe NATO i bënë llogaritë gabim. Nuk keni llogaritur pasojat e situatës. Millosheviçi nuk do të kapitullojë kurrë. Në vend që të zgjidhë krizën humanitare, bombardimi po shkakton një katastrofë humanitare dhe po dëmton rëndë marrëdhëniet SHBA-Rusi”, thotë Yeltsin.

“Po ta them sinqerisht se ndjenja antiamerikane dhe anti-NATO në Rusi po rritet si një ortek. Kam presion të madh për të ndërhyrë për të ndihmuar Jugosllavinë. Jemi duke e kundërshtuar këtë presion, por nuk e di se sa gjatë mund ta bëjmë këtë, sepse mundësitë tona përballë këtij presioni janë të kufizuara”, deklaron më tej, Presidenti Boris Yeltsin.

©Copyright Gazeta Shqip