Analisti Baton Haxhiu u shpreh se beteja e Lulzim Bashës si lider i Partisë Demokratike është kjo që po bën tani ndaj Sali Berishës, pasi deri tani ka qenë vetëm kryetar.

Sipas tij, pavarësisht mungesës së guximit nga Basha për të hapur betejën ndaj berishizmit nga 2013 deri sot, ai ka të drejtë në betejën që ka ndërmarrë. “Kam shumë vërejtje ndaj Bashës nga 2013-2021 që nuk ka hapur betejën ndaj Sali Berishës dhe berishizmit. E bën tani për herë të parë, pasi është gara e tij e parë për lider të PD; deri tani ka qenë vetëm kryetar, jo lider. Lideri ka qenë prapa shpinës së tij. Gjëja e parë që duhet të bëjë Basha tani është të vrasë liderin që të përballet me kryetarin. Që ka të drejtë në këtë betejë, nuk kam asnjë dilemë”, tha analisti gjatë emisionit ‘Shock’ në Euronews Albania.