Ish kryeministri, Sali Berisha, Kreu i PD, Lulzim Basha, ne konferencen 'Sfida dhe Vizione ne Shendetesi', e organizuar nga PD ne bashkepunim me Fondacionin Konrad Adenauer. PD premtoi rritje te pagave te mjekeve sapo te vije ne pushtet./r/n/r/nFormer Prime Minister, Sali Berisha, DP Leader, Lulzim Basha, at the 'Challenges and Visions Conference' organized by the DP in collaboration with the Konrad Adenauer Foundation. The DP promised a raise in doctors' salaries once it comes to power.

Nga Ylli Pata

Shpërthimi i mbrëmshëm i Arjan Vasjarit në emisionin e Sokol Ballës ndaj Lulzim Bashës, përbën rezultanten e një zhvillimi që duket se do të ndodhte një ditë. Edhe pse në këtë rast, Vasjari si analist, ka qenë një vëzhgues që më shumë nga mjaft të tjerë i ka vënë pikat mbi “i” krejt më mirë se Artur Zheji apo Lubonja që kanë një show televiziv me këtë titull, por që pika kanë vënë shumë pak. Vasjari ka qenë kritiku më i ashpër ndaj Bashës sidomos në dy lëvizjet kamikaze të kreut të PD-së siç ishin djegia e mandateve e bojkotimi i zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Megjithëse gjatë ngrefosjes së Ilir Metës përpara zgjedhjeve të 25 prillit, Vasjari, mori një rast pozitën e një “gjekmarku vlonjat”, kur deklaroi se Meta është “antikorpi i duhur për autoritarizmin e Ramës”. Gjithsesi, lajmi i sotëm ka qenë urimi politik i Ilir Metës për 77 vjetorin e lindjes së Sali Berishës, që e cilësoi- “një përsosmëri”. E këtu në fakt, në këtë rreshtim vijmë edhe më qartë edhe më hapur në një betejë që duket se do të jetë si ajo e Kinshasës ndërmjet Cassius Clay-t, alias Muhamed Ali dhe George Foreman.(Ah sikur të ishte në jetë gjigandi Ahmet Golemi, që ta bënte kronikën e këtij ringu, e të tregonte realisht se kush është Ali e kush Foreman në këtë përballje).

Por përveç analogjive e metaforave që ka pjellë kjo “përballje fatale”, e cila ka futur në skenë, që nga astrologët e deri te teologët e mitologët, thelbi këtu është politik. E në këtë kontekst, në fushë lojtarët vijnë me avantazhët e dizavantazhet e tyre, të cilat i japin kësaj ndeshjeje ato impulse paraprake që spektatorët, veçanërisht ato që i rreh zemra djathtas të imagjinojnë duelin përpara se të ndodhë.

Sali Berisha Tre janë avantazhet e ish-Presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha në këtë betejë, që realisht e ka hapur vetë, e siç dhe pritej normalisht ka bërë e po bën lajm, duke e mbajtur veten protagonist i kësaj lëvizje. Avantazhi kryesor e që përbën dhe gurin më të fortë në dorë për Sali Berishën është “pozicioni i viktimës”. Pra i njeriut të goditur, “I pafajshëm” që ishte në punë të vet, i “tërhequr” nga politika por që “pabesia” e “birit” të tij politik e riktheu në lojë, ashtu si në sagat e Rocky Balboas apo të Rambos, ku gjendet gjithmonë ndonjë Apollo Krid, apo ish-komandant i tij që do ta thithte në betejë, edhe pse ishte i tërhequr duke çarë dru në pyjet e Tajlandës apo të Laosit.

Duke qenë i “godituri”, Berisha si “kafshë politike” po e përdor fort këtë kartë, si një padrejtësi që i jep të drejtën për të reaguar. E kjo natyrisht ka prekur shumë përkrahës të së PD-së, që tek doktori kanë parë historinë personale të jetës së tyre në 30 vjet, apo edhe të gjeneratave sipër tyre, pasi ka qenë i vetmi kryetar i Partisë Demokratike që e ka sjellë në pushtet. Avantazhi i dytë është se Sali Berisha, ka ndoshta jo në mënyrë simetrike përkrah “Foltores” fizikisht dhe jo, të gjithë viktimat e Lulzim Bashës në këto 8 vjet. Të cilët ndoshta edhe me arsye, po gjejnë rastin të hakmerren. E në këtë rast hakmarrja prodhon një energji potenciale të fortë për reagim. Avantazhi i tretë i Berishës, është se duke qenë kryetar i PD-së de jure deri në 2013 e de fakto deri para një muaji, ai ka në duar kontrollin e shumicës së grupeve të interesit që përbëjnë opozitën. Madje edhe strukturat vertikale të PD-së, edhe pse jo aq shumë. Më shumë kanë rëndësi grupet e interesit që kanë influencë të madhe sesa strukturat, që sidomos pa pushtet real nuk kanë fuqi fare.

Por Sali Berisha ka disa disavantazhe shumë të mëdha në këtë betejë, që bën që kushdo që e shikon nga larg, e mendon thjesht se nuk kemi të bëjmë me një luftë reale por paksa surreale. Sali Berisha është njeriu më i rëndësishëm i politikës shqiptare që është ndëshkuar rëndë së bashku me familjen e tij, nga qeveria e SHBA për shkak të korrupsionit të rëndësishëm, minimit të demokracisë dhe pengimit të drejtësisë. Një dizavantazh që e bën doktorin, një aktor, i cili betejën e nisur, e ka të mpleksur me telashet shumë të rënda personale e familjare karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Politikisht sidomos nga partnerët, doktori shikohet si një figurë e djegur përfundimisht.

Ndërkaq, Berisha ka një dizavantazh tjetër në këtë ring, pasi ai edhe pse thotë që do të kërkojë që të zgjidhet në “çdo post kushtetues”, secili që është pranë tij e di mirë se ky është një premtim i parealizueshëm praktikisht. Sulmi ndaj Bashës, apo “beteja për PD-në” erdhi shumë vonë, pasi e ka lënë që ta pastrojë partinë nga të gjithë ato njerëz, që edhe ai i shikonte jo të besueshëm. Në një Kuvend Kombëtar, nëse i mbledh firmat, Berisha do të mbështetet realisht nga të gjithë ato njerëz me peshë, e jo figurantët problematic që kanë dalë në takimet e “Foltores”. Kundërshtarët e Bashës, që i kanë dhënë një mbështetje lëvizjes së Berishës, si për shembull Jozefina Topalli, ende nuk i janë afruar tribunës së doktorit, edhe pse ai është më afër sesa Basha që e urren deri në vdekje.

Duke qenë kështu, fuqia e Berishës në duelin e madh është e kufizuar, edhe pse duket se ka tërheqje. Në thelb ka shumë droje sidomos nga njerëz realisht me peshë në opinion realisht, që t’i bashkëngjiten, pasi shohin të gjithë kufizimet e mëdha që e rrethojnë doktorin e “përsosur 77”.

Lulzim Basha Kryetari i PD-së është realisht siç i tha dje Edi Rama; në një hall të madh në këtë përplasje. Ai është njeriu kryesor, ku një pjesë e madhe e demokratëve po e përdorin si tabelë ku të ngulin shigjetat e tyre të inatit, zhgënjimit, mllefit, pakënaqësisë, mbi të gjitha prej vendimeve të gabuara të Lulzim Bashës.

Dizavantazhi më i madh i kreut të opozitës, është pikërisht historia 8 vjeçare në krye të PD-së, e cila ka qenë tejet e pasuksesshme e ka prodhuar një frustrim të tmerrshëm në të gjithë elektoratin e opozitës. Por Lulzim Basha ka një avantazh shumë të madh, madje të madh fare, nëse di ta përdorë e ta kanalizojë politikisht, natyrisht duke ju drejtuar hapur dhe pa asnjë rezervë “popullit” që voton Partinë Demokratike, atë që nuk e ka votuar Edi Ramën, por edhe publikut shqiptar në përgjithësi, e natyrisht edhe opnionit publik ndërkombëtar.

Sidomos sot kur edhe Ilir Meta është bashkuar hapur me Berishën, i jep Lulzim Bashës shansin të tregojë realisht të gjithë historinë e këtyre 8 vjetëve me këta dy aktorë pranë tij që kanë shënjuar këtë histori traumatike, sidomos kundër reformës në drejtësi dhe përplasjes me SHBA-në e BE-në, vetëm, po vetëm për interest personale të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nëse Lulzim Basha do të tregojë të plotë të vërtetën e kësaj historie, atëherë të gjithë ata që sot e përkrahin Sali Berishën apo edhe Ilir Metën, do të mësojnë më qartë se nuk ka qenë ashtu siç i është thënë yryshi i tyre kundër “sorosianëve e alienëve”.

Lulzim Basha, edhe mund të humbë betejën e ngushtë numerike në një garë në institucionet shumë të brishta partiake, që e kanë provuar se janë vetëm mekanizma të drejtuara e jo institucione të ngritura, por fiton një betejë të rëndësishme me opinionin shqiptar. Vendimi për të larguar Sali Berishën, i jep së djathtës shqiptare një hapësirë të rëndësishme për të ndërtuar narracionin dhe historinë e re politike, edhe pse në kuptim të ngushtë ai mund të mos jetë kryetari i pëlqyer i të gjithëve. Ndoshta ka ardhur koha që pas këtyre humbjeve, por duke qenë në krye të PD-së, të korrë një fitore të vërtetë, që edhe mund ta çojë jashtë drejtimit të partisë, apo siç thonë berishistët sot “të kthehet në Holandë”. Nëse Basha, si dëshmitar e protagonist i një bashkëjetese të sikletshme dhe jete realisht pengu me “babain”, duhet të bëjë siç bëjnë banorët e sotëm të Big Brother Vip, që edhe e ekzagjerojnë pak, duke thënë të gjitha se i kanë dhunuar burrat e i kanë nxirë jetën.

Nëse banorët e Big Brother Vip e bëjnë këtë sakrificë për të fituar 100 mijë euro, Basha, të tregojë të vërtetën për të fituar vetveten, e më shumë për t’i dhënë Shqipërisë një alternativë politike të re, pa dinosaurët që nuk i ngrinë dot as akullnajat e Bing-Bengut… TemA