Deputeti demokrat Flamur Noka, një nga mbështetësit e “Foltores” se ish-kryedemokratit Sali Berisha deklaroi se mbledhjen me demokratët në rrethe do të vazhdojnë deri në datën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD. I ftuar në “Publikisht” në RTSH me gazetaren Blerta Tafani, Noka shpjegoi se cilët do të jenë hapat që do të ndjekë ky kuvend në rast se nuk njihet nga kryetari.

“Foltoret do të vazhdojnë deri në 11 dhjetor. Kjo është faza e parë e Foltores. Më 11 dhjetor do jetë kulmi i saj. Askush nuk del mbi sovranin. Kjo është demokracia. Sovrani ka të drejtë të shkarkojë Bashën dhe të shuajë dhe partinë. Në statut nuk thuhet që duhet që kryetari ta njohë Kuvendin. Një nga detyrat e këtij kuvendi është të kthejë demokracinë dhe ligjshmërinë.

Ne do të ndjekim hap pas hapi statutin. Statuti thotë ne njoftojmë kuvendin. ¼ njofton kryetarin. Ka një numër të delegatëve të Kuvendit të bërë publik. Ka dhe një klauzolë statute që thotë ¼ e delegatëve. Te selia qendrore protokollohet shkresa. Ndryshe ka një muaj kohë, kryetari bashkë me kryesinë ka detyrë të operojnë të thërrasin kuvendin. Në rast se kryetari nuk e thërret, automatikisht ¼ mblidhet dhe vepron”, tha Noka.

Ai tha se vendimi i Kuvendit nuk mund të kundërshtohet nga askush. Lidhur me mënyrë e verifikimit të firmëtarëve ai vuri theksoi tek të dhënat personale dhe pozicioni që këta persona kanë në parti.

“Ka disa mekanizma për ta shkarkuar kryetarin. Përmes ½ të këshillit kombëtar dhe kur e shkarkon vota e anëtarësisë. Pika e parë e Kuvendit do të kthejë ligjshmërinë. Vendimin e Kuvendit askush nuk ka të drejtë ta kundërshtojë. Vendimet e Kuvendit hyjnë në fuqi menjëherë.

Në momentin që kuvendi është organi epror mund të rrëzojë vendimet e të gjithë institucioneve të tjera të partisë. Ne kemi listën e delegatëve të partisë. Në formularin e thirrjes së kuvendit janë këto të dhëna, emër, atësi, mbiemër, numri i ID, pozicioni që ke në parti. Ne disponojmë dokumentin e anëtarësisë së kuvendit”, deklaroi Noka.