Miliona njerëz në Evropë tashmë po vuajnë nga varfëria e energjisë prej çmimeve të larta, paralajmëron Komisari i Punës i BE, Nicolas Schmit.

Por Brukseli që me Poloninë u përplas për parimin e përparësisë së ligjit të BE -së mbi legjislacionin kombëtar, tek çështja e energjisë thotë se përgjegjëse për marrjen e masave janë qeveritë kombëtare.

Përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve të energjisë, komisioneri evropian paralajmëroi për më shumë varfëri energjetike në kontinentin e vjetër.

“Komisioni i BE-së mund të ndihmojë vendet e bllokut të kufizojnë ndikimin e çmimeve aktuale të larta të energjisë tek njerëzit, qeverive kombëtare u takon të ndërmarrin veprime”, tha ai.

Zv/zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, kishte deklaruar më herët se ishte e rëndësishme të veprohet në mënyrë të koordinuar në të gjithë Evropën dhe brenda rregullave ekzistuese për tregun e brendshëm të BE. Çmimet e energjisë dhe opsionet afatshkurtra të veprimit do të luajnë gjithashtu rol në samitin e BE javën e ardhshme.

Konfederata Sindikale Evropiane (ETUC) shprehu në shtator frikën se më shumë se 2.7 milionë njerëz në Evropë nuk do të ishin në gjendje të ngrohnin si duhet shtëpitë e tyre, edhe pse ishin në marrëdhënie pune.

Komisionerja e energjisë, Kadri Simson prezantoi gjatë javës një të ashtuquajtur paketë mjetesh, të cilat vendet e BE mund t’i përdorin pa shkelur rregullat evropiane të konkurrencës.

Ndër të tjera, Komisioni propozoi pagesa direkte, lehtësim tatimor dhe subvencione për bizneset e vogla. Por ajo gjithashtu e kishte fjalën për reforma afatmesme për ta bërë tregun evropian të energjisë më të fuqishëm në plan afatgjatë.