Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Christian Steiner u shpreh sot në një prononcim për mediet se, “Austria gjithmonë ka mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Shpresojmë që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mund të hapet së shpejti”. Këto deklarata ambasadori austriak i bëri nga qyteti i Shkodrës, ku ishte me rastin e “Ditës Kombëtare të Austrisë”. Ambasadori foli gjithashtu mbi bashkëpunimin dhe arritjet ndër vite që kanë pasur dy vendet. Ambasadori tha se investimet janë rritur në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe tashmë edhe në arsim, duke hapur shkollë si dhe në Shkodër. “Si ambasador austriak jam shumë i lumtur në Shkodër me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë. Për shkak të Covid nuk mund të organizojmë festën austriake”, tha ai.

“Austria ka mbështetur Pavarësinë e Shqipërisë. Kemi histori të përbashkët shumë të gjatë prej, prej shumë vitesh. Prej 30 vitesh pas rënies së komunizmit kemi zhvilluar marrëdhëniet në të gjitha fushat. Kemi projektet e Agjencisë Austriake për Zhvillim në sektorë të ndryshëm. Kemi dhe kontakte shumë të ngushta politike dhe ekonomike. Në fillimin e këtij muaji kemi pasur 3 konferenca dhe një mision ekonomik austriak në Shqipëri. Kemi pasur një konferencë mbi investimet potenciale të Austrisë. Sot kemi më shumë se 50 kompani austriake që kanë investuar sot në Shqipëri. Dhe në sektorin e arsimit, duhet të them që kemi dhe shkollë austriake në Shkodër me 470 nxënës dhe mësues nga Austria dhe nga Shqipëria”, tha Steiner.

I pyetur nga gazetarët nëse e mbështet Austria integrimin e Shqipërisë drejt BE, ambasadori u shpreh se, “Austria gjithmonë ka mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Shpresojmë që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mund të hapet së shpejti”.

“Ne kemi tashmë gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme kontakte të ngushta midis Austrisë dhe Shqipërisë, kontakte shumë të ngushta midis BE dhe Shqipërisë. Ne nuk duhet të harrojmë që kemi një marrëveshje të Stabilizim-Asociimit, e cila parashikon bashkëpunime shumë të ngushta, investime të mëdha. Vendet e Bashkimit Evropian vijojnë të mbeten partnerët më të ngushtë ekonomik për Shqipërinë. Nëse nuk gaboj në vitin 2020 kanë qenë rreth 74 % e eksporteve të Shqipërisë që shkonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Dhe nuk duhet të harrojmë që vendet e Bashkimit Evropian mbeten investitorët më të mëdhenj në Shqipëri dhe njëkohësisht edhe donatorët më të mëdhenj për sa i përket projekteve të zhvillimit”, tha ai.

“Ne si Austri patëm kënaqësinë që gjatë gjithë pranverës të ishim një urë ndërmjetëse që të koordinonim procesin e ardhjeve të vaksinave në Shqipëri. Dhe siç e shikoni marrëdhëniet tona janë dhe kanë qenë shumë të ngushta ashtu si midis Shqipërisë dhe Austrisë dhe ndërmjet BE dhe Shqipërisë, dhe nuk duhet të harrojmë në këtë kontekst marrëdhëniet ndërnjerëzore që dhe ato janë shumë të rëndësishme”, u shpreh Steiner.