Ambasada Franceze dhuron pajisje operacionale për Policinë e Shtetit. Gjatë paradites së sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ambasadorja e Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq i ka dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, donacionin me pajisje operacionale për punonjësit e Policisë së Shtetit.

I pranishëm në ceremoninë e dhurimit ishte edhe zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili e ka falënderuar ambasadoren franceze dhe është shprehur se çdo donacion i dhuruar është shprehje e besimit të shtuar për Policinë e Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano: “Mirënjohje për këtë ndihmë të vlefshme për strukturat operacionale në Policinë e Shtetit dhe për trajnimin e kryer. Ju siguroj se këto pajisje do të përdoren me profesionalizëm për të parandaluar dhe goditur krimin.Faleminderit për mbështetjen e deritanishme, me bindjen se edhe në të ardhmen do të kemi akoma më shumë bashkëpunim dhe mbështetje nga ambasada dhe Policia franceze. Përfitoj nga rasti që të falënderoj jo vetëm kolegët në sallë, por të gjithë ata që punojnë me përkushtim në terren dhe përballen përditë me rrezikun dhe vështirësitë, duke i siguruar se kanë mbështetjen time të palëkundur për të qëndruar në krah të atyre që zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin”.

Ambasadorja Barsacq e ka uruar Drejtorin e Përgjithshëm për detyrën e re dhe konfirmoi zotimin dhe angazhimin për mbështetje për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve teknike dhe logjistike të Policisë së Shtetit.