Kryeministri Rama ka sqaruar sot gazetarët shqiptarë lidhur me rolin e Agjencisë së Medias dhe Informimit që pritet të ngrihet nga qeveria shqiptare, duke theksuar se përkundër nga sa është keqinterpretuar në media, Agjencia është një mekanizëm që garanton transparencën maksimale për të lehtësuar punën e gazetarëve. “Është e kundërta e asaj që thoni ju, është një mekanizëm për të garantuar transparencën maksimale në raport me ju. Për të garantuar që ju nëse hasni një problem me një institucion dhe pengoheni që të merrni informacionin zyrtar në dispozicion, ju t’i drejtoheni këtij mekanizmi dhe të thoni po na pengon institucioni filan dhe ky mekanizëm vihet në lëvizje për ju. Për të tjerat jam i gatshëm kur të doni, me kë të doni, të vij para jush dhe të jap llogari për të gjitha pyetjet se keni një keqkuptim të madh”, tha Rama.

Rama ftoi gazetarët si dhe përfaqësuesit e gjashtë organizatave ndërkombëtare që ngritën shqetësim mbi Agjencinë në një takim me të, për të diskutuar mbi rolin e Agjencisë. “Është për të ardhur keq që përpara se të flisni shqip me qeverinë tuaj, mbushni botën me alarme fallco për fantazma që janë në imagjinatën tuaj dhe unë ju jap fjalën që nëse ju nga dialogu që do kemi, do të arrini në përfundimin se kjo agjenci duhet hequr, unë do ta heq fare, por ama pasi të dëgjoni argumentat dhe pasi të jepni një fakt, një provë që bën sens, agjencia do shkrihet. Në të kundërt ju do i shkruani gjithë këtyre njerëzve që ju keni alarmuar: na falni por ky ishte alarm fallco”, tha Rama.