Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut mësohet se është shënuar një ulje e lehtë e infektimeve me Covid-19 dhe kjo vjen si rezultat e masave për parandalimin e përhapjes së virusit. Në krahasim me dy javët e kaluara, kur numri i të infektuarve arrinte në mbi një mijë persona, në katër ditët e fundit ky numër është ulur nën një mijë ndërsa të dielën dhe të shtunën nën 500 të infektuar. “Të dielën kishim rreth 490 raste të reja, që do të thotë më pak se 500, dhe numri i ekzaminimeve në spitale po zvogëlohet. Një nga treguesit më të mëdhenj janë ekzaminimet në Klinikën Infektive dhe ka një mesatare prej 120 dhe 130 kur kishte shumë presion mbi spitalet, tani ky numër është rreth 90. Nuk ka më numër të madh pacientësh të shtruar në spitalin e Tetovës, tani është 90 krahasuar me 120 që ishte më parë”, deklaroi të hënën ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai tha se institucionet po monitorojnë edhe gjendjen në shkolla, ku javën e kaluar ishin paraqitur 14 raste të të infektuarve, por jashtë objekteve shkollore. Ai ka bërë thirrje për vaksinimin e popullatës, në veçanti në zonat ku përqindja e të imunizuarve është e ulët, si në Tetovë, Gostivar dhe qytetet tjera të pjesës perëndimore të vendit. Si pasojë e mos vaksinimit, numri i të infektuarve por edhe i të vdekurve është më i lartë.