“Tani nuk ka më asnjë dyshim. Në Kryeqytet po qarkullon një vrasës serial. Pavarësisht se Policia e Shtetit ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare, burime të brendshme të saj pranojnë, në anonimitet, se e tërë Policia e Shtetit është në këmbë, në kërkim të një vrasësi serial.”

Prisni, mos u trembni para kohe! Në të vërtetë, vrasësi serial qarkullon vetëm nëpër faqet e romanit më të ri thriller GJITHÇKA QË KE, të autorit Enkelejd Lamaj. Kryeqyteti, për momentin, është i qetë.

Por, në Kryeqytetin e romanit GJITHÇKA QË KE, ka një vrasës që ka qëndruar në errësirë tërë jetën. Si një fantazmë e panjohur. Pa emër. Gjithnjë pas perdeve. Pa dalë kurrë në skenë. Pa ardhur kurrë në jetë. Pa ekzistuar… Por tani ndodhet në krahët e lirisë. Tani nuk është më thjesht një fantazmë. Tani mund të dalë në skenë. Tani ka lindur. Tani ekziston. Ka edhe një emër. Flutura e Zezë. E pëlqen këtë emër. Përputhet plotësisht me atë që është dhe me atë që përfaqëson: një jetë të tërë, të jetuar si një larvë, brenda një krizalide, duke ëndërruar që një ditë të bëhej me krahë e të fluturonte nëpër errësirë, si një (flutur e zezë) frymë vdekandjellëse. Për ata që e braktisën, në vend që ta donin. Dhe për të gjithë ata që e vranë, për t’i thënë kuptim realitetit të jetës së tyre. Por tani, vrasësi është realiteti i të gjithë jetëve të tyre. Flutura e Zezë. Errësira që do të gllabërojë jetë.
Romani GJITHÇKA QË KE, nga autori Enkelejd Lamaj dhe publikuar nga shtëpia botuese Arka e Noes, ndjek personazhin kryesor, shkrimtaren Adelina Hoxhaj, e cila duket sikur e ka lënë pas krahëve ferrin që përjetoi tri vjet më parë, kur ajo ra prej shkallëve dhe humbi dy vajzat binjake, me të cilat ishte shtatzënë. Por zgjimi në spital, me parakrahët e fashuar dhe zbulesa se ka tentuar të vrasë veten, ia kthejnë ferrin sërish. Apo ai ferr ka qenë gjithnjë aty, pa u larguar kurrë ndonjëherë prej saj?
Ndërkohë që netët e kryeqytetit përgjaken mizorisht nga një vrasës serial i paskrupullt, Adelina e gjen veten të rrethuar akoma edhe më shumë nga trysnia shtypëse e ferrit dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, ajo përfshihet në një mister varresh të hapura dhe eshtrash të përçudnuara. Paralel me të, gazetarja Sidorela Ejlezi rrëmbehet nga kërkimet për vrasësin serial, por pa e ditur se çfarë çmimi do t’i duhet të paguajë.

Në rrjedhën e ngjarjeve, autori Enkelejd Lamaj na shpie në territore, për të cilat pak kush mund të mendojë, aq më tepër të guxojë të krijojë një thriller. Guximi për të hyrë (e me shumë lehtësi madje) si në mendjen e vrasësit, ashtu edhe në atë të viktimave, por dhe skenat, që ndjekin rrëmbyeshëm njëra-tjetrën, herë të mallëngjejnë e të thyejnë zemrën, herë të kallin datën e të ngjeshin mishtë. Rezultati neto është një roman rrëmbyes, por edhe i frikshëm, që asnjë lexues nuk do të mund ta harrojë lehtë.

Nëse ideja juaj për të lexuar, përfshin edhe një thriller të mbushur me terror, ky është libri që ju rekomandojmë. Nga të gjitha veprat e autorit Enkelejd Lamaj, GJITHÇKA QË KE nuk është vetëm më i miri, por është gjithashtu edhe më turbulluesi. Lexuesit e tij e dinë, tashmë, se tregimet dhe romanet e tij janë plot me frikë dhe mister, por me GJITHÇKA QË KE, Lamaj e çon letërsinë e tij në një nivel tjetër. Dhe kush i ka mbijetuar, më parë, historive të frikshme të tij, në maratona përgjumësie, do ta gjejë këtë libër si një goditje me grusht në gojë të stomakut, që do ta lërë zgjuar, derisa të kthejë edhe faqen e tij të fundit. E, madje, e dhe më pas.