Artan Hoxha ka ironizuar ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, pas dënimit të këtij të fundit me 2 vjet burg. Përmes një postimi në Facebook, gazetari investigativ shkruan se ambasadori amerikan, Donald Lu i kishte dalë borxhit, por ish-kryeprokurori besonte se ishte i paprekshëm. Gazetari bën edhe një parashikim, se kush mund të jetë “peshku i madh” i radhës që do të dënohet.

Ai shton se pas Llallës, tashmë dikush tjetër që është shpallur ‘non grata’ si ai, pret urdhër-arrestin, pra Sali Berishës. Pas Berishës, sipas Hoxhës, radhën e ka Ilir Meta, që sipas tij, do të shpallet non grata nga SHBA sapo të përfundojë mandatin e presidentit.

“Të doli borxhit “Doni”…(emri i shkurtuar me të cilin Llalla e etiketonte në publik ambasadorin amerikan Donald Lu)…. Po ti, nuk dëgjoje nga ai vesh. Sepse ATA, miqtë e tu, që të kishin vënë aty, të fërkonin krahet, duke të thënë: “Jepi Tiku, sa të jemi ne pas teje, ty nuk të gjen gjë”.

Por ATA, miqtë tu, që ti bëjë be e rrufe, se nuk do i arrestoje kurrë, tashme nuk të ndihmojnë dot. U ka marrë ferra uratën dhe janë në liste pritje.

Dikush që është shpallur “non grata” si ty, pret urdhër-arrestin si Pinoçeti. Ndërsa dikush tjeter, pret ti sjellin statusin “non grata” sapo të dorëzojë detyrën…

E nise dhe e mbarove mandatin me batuten: “Do bëj arrestime në shtator”….

Në fakt të vetmet arrestime, që munde të besh në shtator, janë:

1)- unë dhe celularët e mi, që më moret live nga studio e OPINION me 15 shtator 2016 (në fakt 2 celularet nuk mi keni kthyer edhe pse kanë kaluar me shumë se 5 vite).

2)- dhe veten tënde, me vendim arresti të formes se prerë, me 22 shtator 2021…

Bëhu i fortë Tiku. Në fund të fundit, populli ynë thotë: “Burgu, është për burrat”…”, shkruan Hoxha.