Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim me udhëheqësen e Lëvizjes për Demokraci në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Duke e cilësuar një grua të fortë dhe kurajoze, Spiropali, u shpreh se, “biseda me Tsikhanouskaya-n ishte frymëzuese. Ajo është model i guximit dhe luftës për liri të popujve që vuajnë nën regjime shtypëse”.

“Politikane që qëndroi, kandidoi dhe inspiroi bashkëkombësit e saj, për të kërkuar demokraci, duke luftuar për zgjedhje të lira, për të drejtat e qytetarëve, lirinë e medias, respektimin e dinjitetit njerëzor përballë një regjimi që ka arrestuar dhe dëbuar me mijëra qytetarë dhe aktivistë”, tha Spiropali.

“Shqipëria qëndron krah Bjellorusisë dhe popujve që vuajnë tiraninë, por luftojnë për demokraci dhe kërkojnë një të ardhme të sigurt nën shembujt e rojtarëve të demokracisë”, theksoi Spiropali.