Këtë të martë shënohen 2 vite nga tërmeti i 21 shtatorit, nga i cili u plagosën rreth 150 persona. Lëkundjet e mesditës së sotme, në të njëjtën orë dhe me magnitudë 3.9, sollën në kujtesën e njerëzve tronditjen me mangitudë 5.8 të shkallës Rihter të dy viteve më parë, në orën 16:09 kur spitali i Traumës u mbush me persona që ishin plagosur duke u hedhur nga ballkonet.

Edhe në spitalin e Durrësit mbërritën shumë ambulanca dhe makina me të plagosur, por fatmirësisht nuk pati viktima. Sipas bilancit zyrtar u dëmtuan mbi 1500 shtëpi, pallate dhe shkolla, kryesisht në zonën e Tiranës edhe Durrësit, aty ku ishte edhe epiqendra e tij. Paniku ishte i madh tek njerëzit, një pjesë e të cilëve kaluan natën jashtë pasi ishin të frikësuar se lëkundjet mund të përsëriteshin.

Tërmeti i 21 shtatorit ishte më i madhi i 30 viteve të fundit deri në atë moment, ndërsa më e keqja do të vinte në 26 nëntor, nga një tjetër tërmet me magnitudë 6.4, e ku humbën jetën 51 qytetarë që mbetën të bllokuar nën rrënojat e banesave dhe pallateve të shembura. Më poshtë shihni fotograftë e tërmetit të 21 shtatorit, kur njerëzit e frikësuar përfunduan në spitale ndërsa të tjerë kaluan natën jashtë.