Ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha në emisioni ‘Now’ në Euronews Albania se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën, jo vetëm për njohje formale të shtetit të Kosovës, por për të krijuar politikë kohezive, është e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër.

Znj. Spiropali e cilësoi një show të panevojshëm dhe të dëmshëm nga ana e Serbisë demonstrimin e forcës në kufirin me Kosovën. Sipas saj, në këtë rast nuk ka nevojë për një ndërmjetësim të Kryeministrit Rama me presidentin serb Vuçiç pasi e drejta është qartazi në anën e Kosovës.

“Mund të ndërmjetësohet aty ku ka një dyshim se e drejta nuk është në një anë. Në këtë rast mendojmë dhe besojmë se e drejta është për Kosovën. Duhet një reciprocitet për marrëveshje për të cilat është rënë dakord mes Kosovës dhe Serbisë. Ne besojmë se Kosova është në të drejtën e saj dhe po vepron ligjërisht përmes policisë së Kosovë, nuk ka demonstrim të panevojshëm force. E kundërta po ndodh nga Serbia”, tha znj. Spiropali.