Tensionet në pikat kufitare në veri të Kosovës janë përcjellë me zemërim dhe nota proteste pasi Serbia demonstroi forcën ushtarake një ditë më parë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në gatishmëri.

Krimet e rënda nga drejtoria qendrorë e Policisë së Kosovës, të asistuar nga të gjitha njësitet tjera të nevojshme janë duke hetuar rastin dhe ne presim rezultate të shpejta nga këto hetime. Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale dhe nga institucione të ndryshme, instruksioni nga Serbia që u bëjnë presion qytetarëve tanë serb që t’iu bashkohen këtyre protestave por dëshmitë janë që këto apele e këto iniciativa janë duke dështuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën në Shtetet e Bashkuara. Në një reagim në rrjetet sociale, kryetarja e shtetit i bën thirrje ndërkombëtarëve që të veprojnë.

Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuciqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Ndërsa Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić nga Nju Jorku, tha se Serbia është gati për dialog, por jo Prishtina. Ndërkaq Beogradi ka refuzuar ftesën e Brukselit për një takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian sa i takon situatës së tensionuar në pikat kufitare.

Të shtunën e 25 shtatorit, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa u sulmua edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Këto incidente vijnë teksa për të gjashtën ditë me radhë janë të bllokuara rrugët që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në afërsi të pikës kufitare Bërnjak dhe Jarinje. Qytetarët serbë atje po kundërshtojnë vendimin e 20 shtatorit të Qeverisë së Kosovës, për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat nga Serbia.