Mbledhja e Këshillit Konsultativ QeverisjeQendrore-Vetëqeverisje Vendore mblodhi përfaqësues të bashkive, shoqatave vendore dhe institucioneve qendrore për të diskutuar paketën me 11 projekt – akte të rëndësishme, si edhe për të ndarë zhvillimet më të reja në lidhje me arritje dhe projekte që ndikojnë pushtetin vendor. Bashkëkryetarja e Këshillit Konsultativ, Znj.Romina Kuko, dha lajmin e kalimit në qeveri të marrëveshjes midis Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë Shqiptare për projektin STAR 3. Gjithashtu, Znj. Kuko ndau me të pranishmit një nga arritjet e projektit të Asistencës Teknike të mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, më konkretisht platformën e Këshillit, e cila ofron mundësinë e konsultimitonlinetëprojekt-akteve në kohë reale dhe transparente për të gjithë përfaqësuesit e Këshillit.

Ngritjen e platformës së konsultimit të akteve e vlerësoi edhe Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Z. Hubert Perr, i cili ishte i pranishëm në mbledhje. Në fjalën e tij, Z. Perr theksoi se Këshilli Konsultativ luan një rol kyç në përparimin e mëtejshëm të agjendës së decentralizimit në Shqipëri. ‘Reforma administrative territoriale duhet të konsolidohet më tej si pjesë e agjendës më të gjerë të decentralizimit. Kjo është veçanërisht e nevojshme për të garantuar autonominë fiskale vendore dhe për të fuqizuar bashkitë që të ofrojnë shërbime cilësore publike me standarde për qytetarët” – u shpreh Z. Perr, duke shtuar se: “Integrimi në BE mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse përfshihen bashkitë meqenëse më shumë se70 për qind e legjislacionit të BE-së duhet të zbatohet në nivel vendor. Decentralizimi është mënyra më efikase për t’i shërbyer qytetarëve të Shqipërisë; ndaj BE do të vazhdojë mbështetjen e Shqipërisë në këtë proces”. Në këtë mbledhje të katërt për vitin 2021, anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror diskutuan e miratuan dokumente strategjikë ku vlen të përmenden: Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2021-2026, Planet Kombëtare për përfshirjen e komunitetit Rom dhe Egjiptian dhe komunitetit LGBTI+. Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,Znj. Bardhylka Kospiri, u shpreh se këto projekt-akte të sjella për diskutim janë shumë të rëndësishme dhe kërkojnë vëmendje të përkushtuar nga ekipet e bashkive.

Nga ana e tyre, përfaqësues të bashkive dhe shoqatave vendore shprehën vlerësimin dhe angazhimin e tyre për Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, ndërsa ndanë komentet në lidhje me buxhetimin dhe detyrat e përcaktuara për njësitë e vetëqeverisjes vendore në Planet Kombëtare për Përfshirjen e Komunitetit Rom & Egjiptian dhe Komunitetit LGBTI+. Komente dhe sugjerime u bënë edhe nga Ministria e Brendshme, Shoqata për Autonomi Vendore, si dhe nga Aleanca e Grave Këshilltare të Tiranës.

Më tej, anëtarët e Këshillit Konsultativ diskutuan e dhanë komentet e sugjerimet e tyre mbi projekt-aktet e ardhura nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Të gjitha komentet dhe sugjerimet do t’u përcillen institucioneve qendrore nga Sekretariati Teknik i Këshillit Konsultativ për t’u reflektuar në projekt-aktet e hartuara. Mbledhja e Këshillit Konsultativ u mbajt online, nën mbështetjen e projektit të Asistencës Teknike të financuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe zbatuar nga Instituti i Kërkimeve Urbane.

Projekt-aktet e diskutuara në Këshillin Konsultativ
Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, 2021-2026
Plani Kombëtar i Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrje të Romëve dhe Egjiptianëve në Republikën e Shqipërisë, 2021-2025
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI+, 2021-2027

Projektvendim “Treguesit statistikorë të vlerësimit të ndihmës ekonomike të pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe shërbimeve shoqërore si dhe peridiocitetin e mbledhjes së tyre” Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10112 dt. 9.04.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë së ndërtesave të banimit” Projektvendim “Për miratimin e kritereve për identifikimin e subjekteve private strukturat përgjegjëse për identifikimin e tyre dhe rregullat për realizimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre” Projektvendim “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të krijimit të sistemit të gjurmimit Projektvendim “Për miratimin e rregullave për shpërndarjen e kostove të lidhura me koordinimin e punimeve civile”. Projektvendim “Mbi përcaktimin e rregullave për infrastrukturën e brendshme për rrjetet e komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe administrimin e pikës së aksesit në godina”; Projektvendim “Për përcaktimin e kategorive të ndërtesave që përjashtohen nga detyrimi i pikës së aksesit për infrastrukturën e rrjeteve të komunikimeve elektronike”; Projektvendim “Mbi miratimin e rregullave të përgjithshme për procedurat e dhënies të së drejtës së kalimit për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë”