Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen do të qëndrojë sot për një vizitë njëditore në Kosovë. Ajo me këtë rast do të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ursula von der Leyen është në një vizitë në Ballkanin Perëndimor. Ajo të martën ka qëndruar për vizitë në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore. Në konferencën e përbashkët që pati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe se të dyja palët, Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut.

Ndërkohë që tha se mirëpret edhe “Ballkanin e hapur”, si iniciativë gjithëpërfshirëse. Në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian ka punuar në fushën e bashkëpunimit dhe ka pasur arritje, por që shtoi se është shqetësuese situata në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit në targa me Serbinë.