Nga Alfred Peza

Kapja e një “Peshku të Madh” me anë të rrjetës së institucioneve të reja të drejtësisë, dukej e largët dhe e pamundur deri dje, ndërsa sot është realitet. Ish Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, u dënua me 2 vite burg, 5 vjet përjashtim nga funksionet publike dhe konfiskim të pasurive, nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO). Emri i tij hyri kështu në histori si ish zyrtari i parë i lartë, që dënohet me një vendim të formës së prerë, nga struktura e posaçme e sistemit të drejtësisë së reformuar. Kur e di pikënisjen dhe dinamikën e zhvillimeve që sollën tek ky përfundim, e gjitha duke si kronologjia një dënimi të paralajmëruar. Sepse nuk duhet harruar që Adriatik Llalla ishte i pari që u shpall “non grata” në 2018, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për përfshirje në raste madhore korrupsioni gjatë kohës së ushtrimit të detyrës.

Ata që u tallën gjatë këtyre viteve, si me nisjen e punës ashtu edhe me implementimin e “Reformës në Drejtësi”, është koha që të kërkojnë falje ose të heshtin. Jo aq për mungesën e realizmit dhe largpamësisë së tyre, por për shkak të paragjykimit dashakeq dhe me koshiencë, që i bënë një reforme të thellë të shtetformimit tonë modern që po mbështetej pa rezerva nga SHBA dhe BE. Pak rëndësi ka në këtë moment, nëse Adriatik Llalla është sëmurë apo u largua nga Shqipëria, duke qenë shyqyr shëndoshë e mirë si një nga ato kokrrat e mollëve që do rriteshin në fermën e tij imagjinare. Ashtu siç drejtësia vonoi por nuk harroi për të, edhe vuajtjes së dënimit si gjithkush tjetër, ai nuk i shmanget dot. Me aktin e “arratisjes” përmes stacionit të trenit në Romë, flamurmbajtësi i sistemit të vjetër sapo i tregoi çdo shqiptari e ndërkombëtari, se përse ishte kaq jetike Reforma në Drejtësi.

Ironia e fatit e desh që vendimi për dënimin e Adriatik Llallës, të jepej në të njëjtën ditë, me atë për shkarkimin e Prokurorit Dritan Gina, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Bashkëshorti i Rovena Gashit, ish bashkëpunëtores më të afërt të Adriatik Lallës në kupolën e Prokurorisë së Përgjithëshme, nuk e kaloi dot vettingun. E Mërkura e 22 shtatorit 2021, do kujtohet gjatë si një ditë e mirë për sistemin e ri të drejtësisë, që solli lajme të shumëpritura për të gjitha ata që kontribuan dhe besuan deri në fund në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të saj. Megjithëse i jashtëzakonshëm, ky është vetëm një “hap i vogël”, përpara hopit të madh cilësor që presin shqiptarët në këtë drejtim.

Aq e vërtetë është kjo, sa nuk do jetë çudi nesër që “Peshku i Madh” Adriatik Llalla, të na duket thjeshtë si një “cironkë” na ato që përdoren sa për karrem. Sepse tani është radha e “balenave” dhe “peshkaqenëve” të korrupsionit të lartë politik, që në 30 vitet e fundit kurrë nuk u goditën, për shkak se instaluan kulturën e pandëshkueshmërisë për vete, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë. E rëndësishm është që zaret u hodhën dhe loja e filluar për të ndëshkuar të paprekshit e deridjeshëm, nuk do të ndalet më kurrë. Ish zyrtarët e lartë që i kanë shpëtuar deri tani ndëshkimit dhe ata që bëjnë pjesë në listën e zezë të SHBA, mund ta përdorin pas kësaj frikë vendimin e gjykatës për Adriatik Llallën si, një pasqyrë për të parë të ardhmen e tyre përballë sistemit të ri të drejtësisë.

Pas kësaj, çdokush e kupton më qartë, se përse liderët e vjetër politikë bënë gjithçka për ta penguar dhe mundësisht për ta zhbërë reformën në drejtësi. Flakadanët, tymueset, çizmet, letrat, vezët dhe boja që u hodhën në sallën e Parlamentit gjatë seancës për shkarkimin e Adriatik Llallës si Prokuror i Republikës, nuk ishin për të. Heshtja e tyre e sotme si prej varri, flet vetë, më shumë se gjithçka tjetër. Duke bërë atëherë sikur po mbronin “kukullën” e keqpërdorur prej tyre, liderët e opozitës donin në fakt dëshpërimisht, që të vononin atë proces të pandalshëm që po e sjell radhën e punëve të drejtësisë me shpejtësi drejt tyre. “Non grata” apo jo, rasti i Adriatik Llallës tregoi se, askush nuk mund ti shpëtojë dot më ndëshkimit të drejtësisë së re. Ajo nga sot, ia ka futur deri në palcë, frikën fajtorëve!