Nga mesi i korrikut numri i personave që rezultojnë pozitive me COVID-19 është rritur edhe nëpër qendrat shëndetësore në bazë të testeve të kryera. Sipas mjekes Diana Hysi në Qendrën Shëndetësore 1, dominojnë të pavaksinuarit, por nuk mungojnë edhe ata që kanë marrë një dozë vaksine.

“Personat e pavaksinuar janë shumë herë më të shumtë në numër te ata që janë infektuar. 100 teste të bëra në poliklinikë çdo ditë, gati mbi 20 vetë mund të jenë të infektuar.

Dalin pozitivë me testin e shpejtë dhe ne kur kemi ndonjë dyshim e çojmë edhe për PCR. Gati 20 pacientë në mënyrë të përditshme kanë qenë të pavaksinuar. Mund të kenë qenë, 5-7 ata që janë të vaksinuar, por me një dozë, që janë infektuar”.

Megjithatë mjekja shprehet se personat që e kanë kaluar koronavirusin apo janë vaksinuar e kalojnë më lehtë infeksionin ne krahasim me të tjerët.

“Në këtë periudhë unë nuk kam pasur pacientë të moderuar e lart. Domethënë prekja e pulmonit ka qenë shumë e vogël, e kanë kaluar në mënyrë shumë të lehtë. Personat e vaksinuar absolutisht po, edhe ata që kanë qenë të vaksinuar me CoronaVac, kam pasur raste të personave që kanë qenë mbi 70 vjeç ose kanë pasur sëmundje shoqëruese si diabet, hipertension e kanë kaluar relativisht mirë si një virozë stinore në kushtet e shtëpisë”.

Specialistët theksojnë se të vaksinuarit transmetojnë më pak ngarkesë virale, ndaj imunizimi është i rëndësishëm.

“Personi i vaksinuar, në qoftë se infektohet, pavarësisht se e transmeton, ngarkesa virale e tij si rezultat i vaksinës fillon dhe pakësohet në shumë pak ditë prandaj personi i vaksinuar e kalon sëmundjen në pak kohë”.

Deri më tani në qendrat shëndetësore dhe pikat e tjera të vaksinimit janë imunizuar me dy doza anti-Covid mbi 721 mijë qytetarë.