Deputeti i PD-së Agron Shehaj ka reaguar sot në lidhje me përplasjen që u raportua në medie mes tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Shehaj, në reagimin e tij, shprehet se “nisur nga zbardhja e manipuluar e debatit, e shpërndarë në media me qëllim për të më denigruar dhe fshehur të vërtetën, ndihem i detyruar të bëj publik qëndrim tim në mbledhjen me dyer të mbyllura”. “Iu drejtova Bashës duke thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e Partisë Demokratike nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por fatkeqësisht ka një përçarje të madhe dhe kurrsesi s’mund të jem dakord me strategjinë “t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati”, shpjegoi Shehaj. “Argumentova se pjesa më e madhe e votuesve të Partisë Demokratike janë kundër drejtuesve të Partisë Demokratike. Në këto kushte, agjenda jonë s’mund të jetë shpëtimi i karriges së kryetarit por e mira e Partisë Demokratike. Në lidhje me akuzat e pavërteta dhe absurde, për qëllim servilizmi dhe fshehjen e problemit, nuk meritojnë asnjë koment”, theksoi ai.

Mediet zbardhën sot debatin në një takim ku ishin të pranishëm Basha, Shehaj, Bardhi, Duma, Vokshi dhe 6 kryetarë degësh.

Sipas asaj që përcjellin mediet, pas fjalës së Bashës, ka nisur debati kur Agron Shehaj tha se ka bërë një sondazh vetë ku sipas tij 75% e demokratëve nuk do Bashën. Po sipas medieve, Shehaj është përplasur më pas edhe me nënkryetaren e PD, Grida Duma dhe Sekretarin e Përgjithshëm pasi këta dy të fundit i thanë Shehajt se ka përdorur paratë për të blerë vota për kryetar partie dhe ka bashkëpunuar me njerëz që në fushatën e 25 prillit punuan kundër PD-së.