Rreth 200 qytetarë, përfshirë edhe amerikanë mes tyre, janë larguar nga Kabuli, në operacionin e parë të evakuimit që kur forcat amerikane u larguan nga vendi, rreth dy javë më parë. Fluturimi çarter është nisur për të udhëtuar në kryeqytetin e Katarit, Doha, ndërsa do të pasohet nga një fluturim i dytë të premten. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kërkoi ndihmë për evakuimet gjatë një vizite të fundit në Katar, shkruan BBC. Qindra qytetarë afganë që kishin ndihmuar ushtrinë amerikane nuk ishin në gjendje të kalonin kufirin gjatë muajit të kaluar.

Në një konferencë shtypi të mbajtur në aeroport, i dërguari special i Katarit, Mutlaq bin Majed Al Qahtani e përshkroi aeroportin ndërkombëtar të Kabulit si operacional dhe tha se ishte një ditë historike për Afganistanin. Ministrja e jashtme holandeze, Sigrid Kaag e ka postuar në Twitter falënderimin ndaj Katarit, duke thënë se 13 shtetas holandezë ishin në bordin e fluturimit. Më shumë se 124,000 të huaj dhe afganë të frikësuar nga ndëshkimi i talebanëve u larguan nga vendi, ndërsa talebaët merrnin vendin.