Manuel Neuer beson se Gjermania duhet të ndjekë shembullin e Italisë, ndërsa kërkon të sfidojnë sërish trofetë ndërkombëtarë. Gjermania është zhgënjyer në dy paraqitjet e fundit në garat kryesore, duke dalë jashtë fazës së grupeve në Kupën e Botës 2018 dhe më pas duke u eliminuar në 1/8 finale të “Euro 2020”, këtë vit.

Pas largimit të trajnerit Joachim Low këtë verë, Gjermania do të fillojë një epokë të re nën drejtimin e Hansi Flick. Këtë javë, ata rifillojnë fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2022. Kapiteni i Gjermanisë, Neuer, beson se skuadra e tij duhet të mësojë nga Italia, fituese e “Euro 2020”, kur është fjala për planifikimin e një rruge përpara:

“Italia ishte një trup i vetëm si kombëtare. Ju mund të shihnit se sa aktivë ishin, si komunikonin, me çfarë gëzimi luanin. Italia është një shembull i mirë për t’u ndjekur. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë si ata. Kur shikoj ekipin tonë e di se sa potencial ka, edhe nëse nuk e kemi demonstruar atë nivel në turnetë e fundit. Ne duhet të japim gjithçka që na nevojitet në fushë”.

Flick, i cili kaloi tetë vite si ndihmës i Low te Gjermania, u largua nga Bayern Munich për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar këtë verë. Ai i ka thirrur David Raum, Nico Schlotterbeck dhe Karim Adeyemi për herë të parë në kombëtaren e madhe, ndërsa Marco Reus, Mahmoud Dahoud, Thilo Kehrer, Florian Wirtz dhe Ridle Baku janë rikthyer, pasi munguan në Kampionatin Europian.

“Është një fillim i ri me fytyra të reja, – shtoi Neuer. – Ne jemi në një situatë ku duhet të kompensojmë terrenin e humbur. Kemi objektiva të larta, veçanërisht në lidhje me Kupën e Botës. Ne duam të kualifikohemi para së gjithash dhe të bëjmë një fillim të mirë me stafin e ri stërvitor.

Duam t’i fitojmë tri ndeshjet e radhës dhe të gjithë jemi shumë të motivuar. Duam ta shfrytëzojmë këtë kohë për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe për të njohur lojtarët e rinj. Unë dua të bëhem kampion bote me këtë ekip, edhe nëse nuk do të të jetë një proces i lehtë.

Mund të imagjinoj që Hansi Flick do të dojë të luajë stilin e futbollit, me të cilin kishte kaq shumë sukses te Bayerni. Mendoj se do të jetë e rëndësishme të jemi aktivë me dhe pa top, t’i vendosim kundërshtarët tanë nën presion që herët. Thënë kështu, do të shihni më shumë detaje në ditët në vijim”.

“Die Mannschaft” ka gjashtë pikë nga tri ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2022, duke u pozicionuar tri prapa liderëve të grupit të tyre, Armenisë. Ndeshja e parë e Flick do të jetë jashtë, në Lihtenshtajn, të enjten, para se të përballet me Armeninë tri ditë më vonë. Pastaj do të luajë sërish në transfertë, kundër Islandës.