Mjekët turq dhe shqiptarë të Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, përmes një videomesazhi, drejtuan sot apelin ndaj qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar jetë.

“Dy vitet e fundit për shkak të COVID-19 e gjithë bota po haset me probleme shëndetësore. Për ta shmangur këtë kemi një zgjidhje në dorë. Vaksinimi. Ju lutem të vaksinohemi”, u shpreh një mjeke.

“Për të marrë frymë të lirë ju lutem të vaksinoheni”, ishte apeli i një tjetër mjekeje.

Njëri prej mjekëve turq të Spitalit Rajonal Memorial të Fierit u shpreh se “për t’u mbrojtur nga COVID-19, u vaksinua me të dyja dozat”. “Edhe ju për tu mbrojtur vaksinohuni. Vaksina shpëton jetë”, tha ai.

“Nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj COVID-19 mos u vononi më ta bëni. Bëjini të dyja dozat. Mos mendoni se jeni të rinj dhe e kaloni lehtë. Pasi të vaksinoheni do të mbroni jo vetëm veten tuaj, por edhe të afërmit, të moshuarit. Vendi juaj i punës do të jetë më i sigurt. Jeta juaj po ashtu. Ju do të keni lirinë për të udhëtuar kudo”, tha një tjetër mjek turk.