Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka zhvilluar në mjediset e ministrisë një takim me drejtuesit e “Projekteve Kombëtare fituese të Kërkimit dhe Zhvillimit 2021-2023”, Znj. Kushi gjatë takimit të saj ka theksuar se këtë vit është rritur ndjeshëm buxheti për kërkimin shkencor dhe numrin e përfituesve nga institucionet kërkimore në të gjithë vendin.

Janë 27 përfitues të Projekteve Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit, ndërkohë që dy vjet më parë numri i përfituesve ishte gjashtë. Ministrja Kushi ka gjetur rastin të falënderojë fituesit e projekteve, për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e lartë në hartimin e projekteve konkurruese. Ajo i ka inkurajuar më tej koordinatorët dhe udhëheqësit e projekteve që në punën e tyre kërkimore të krijojnë koherencë dhe bashkërendim edhe me projekte ndërkombëtare të vendeve të zhvilluara, duke i shërbyer kështu edhe zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies në vend.